Aktualitet

The Economist: Kjo është mënyra e duhur për të ndihmuar zonat e prapambetura

Vala e populizmit nuk duket se ka arritur pikën e saj të rënies. Ky është mësimi që na jepet nga zgjedhjet e fundit në Gjermani dhe në Austri që në një farë mënyre na kthejnë më këmbë në tokë, pas një euforie të shkurtër. Zgjedhjet e fundit parlamentare në këto vende shënuan një sukses për partitë anti-globaliste dhe anti-emigrim duke i dhënë një mesazh armiqësor elitave të pushtetit. Pjesa politike që dikur ishte vetëm periferike po rezonon fuqimisht me masat e njerëzve që janë të tejngopur me “status-quo”.

Ky mësim po jepet vazhdimisht edhe në SHBA ku qëndrimet agresive dhe populiste të Trump, duke reflektuar parimet e bazës së tij elektorale shumë të inatosur ka vënë në rrezik marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare si NAFTA, duke krijuar kështu skenare problematike.

Megjithatë, heqja e NAFTA-s më shumë do të dëmtojë mbështetësit e klasës shoqërore që mbështet Trump dhe ulja e niveleve të emigrimit nuk do të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve të Gjermanisë Lindore, kur partia e ekstremit të djathtë AfD mori 20% të mbështetjes, duke u renditur kështu forcë e dytë politike. Problematikat që evidentohen në politikat populiste nuk mjaftojnë që ato të mos kenë mbështetje. Partitë tradicionale duhet tu ofrojnë votuesve një vizion më të mirë për të ardhmen, një vizion që i tregon votuesit realitetin gjeopolitik përtej politikës dhe retorikës së inatit.

Teoria ekonomike sugjeron se pabarazitë rajonale duhet të zhduken, teksa vendet më të varfra (dhe për pasojë më të lira)  janë atraksion për investime të reja më tepër sesa rajonet më të pasura që për pasojë janë më të shtrenjta si në krah pune si në rentabilitet. Megjithatë, duket se kjo teori nuk është se përjetohet realisht nëse shohim statistikat. Një fëmijë i lindur në pjesën më të varfër të popullsisë në San Francisco, ka dy herë më shumë gjasa ta përfundojë jetën si 20% më të pasurit, sesa një fëmijë i lindur në një familje të varfër në Detroit. Djem të lindur në zonën Chelsea të Londrës kanë një pritshmëri jete 9 vjet më të gjatë se ata të lindur në Blackpool. Mundësitë janë të limituara për ata që janë gjendur në vendin e gabuar dhe ekonomia vuan për këtë shkak. Në rast se të gjithë amerikanët do të kishin jetuar në zona me produktivitet të lartë, ekonomia e SHBA do të ishte rritur dy herë më tepër nga sa është rritur realisht.

Ndarja mes zonave është pasojë e disa faktorëve makro. Në ekonominë moderne kompanitë me sasinë më të madhe të përdorimit të elektronikës kanë të përqendruar edhe mjetet më efektive të teknologjisë; rrjetet sociale më të populluara janë ato që tërheqin gjithnjë dhe më shumë përdorues; kapitali që në bursë ka më shumë investitorë është edhe më i kërkuar nga investitorët e rinj. Aktorët më të mirë, thirren nga sa më shumë regjisorë në shumë filma të ndryshëm dhe ata jetojnë në vende gjithmonë dhe më të kufizuara. Çdo gjë përveç asaj që është më popullorja më e pëlqyera dhe që prur më shumë fitime në këtë treg lihet pas.

Teksa pabarazitë mes rajoneve thellohen, njerëzit lëvizin më pak. Përqindja e amerikanëve që zhvendosen nga një shtet në një tjetër është përgjysmuar që prej viteve 1990. Megjithatë, një amerikan i zakonshëm është më shëtitës se një europian që mesatarisht jeton vetëm 30 km larg nga shtëpia e prindërve të vet. Shkak për këtë janë politikat e dobëta. Rritja e çmimeve të banesave në qytetet e mëdha e bën të pamundur për të rinjtë që të zhvendosen aty. Në mënyrë perverse dhe ndoshta të pamenduar politikat i detyrojnë njerëzit të qëndrojnë në zonat e tyre që kanë mbetur pas në shumë aspekte.

Një alternativë zgjidhjeje për këtë problem është që të krijohen banesa sociale dhe infrastruktura e nevojshme që banorët nga zonat e disavantazhuara të zhvendosen në qendrat e mëdha urbane. Por, një politikë e tillë do të rriste problemet për këto zona ku do të rriteshin kostot për pensionet, ndërkohë që forca punëtore dhe pjesa më dinamike e shoqërisë do të largohej.

Ndoshta, më shumë se çdo gjë tjetër politikanëve u nevojitet një mentalitet tjetër. Për progresistët zgjidhja e problemeve gjendet tek ndihmat sociale, për libertarianët gjendet tek sipërmarrja e lirë. Që të dyja këto janë përqasje që fokusohen tek njerëzit, por ndërveprimi kompleks demografik, mirëqënia dhe globalizimi kërkojnë këndvështrime dhe përqasje të reja. Përshtatur nga “The Economist”/ K.H-tiranapost.al