Aktualitet

Tha se objekti më i shtrenjtë ishte pena, Ilir Panda shpjegon pse iu përgjigj ashtu profesor Kabos

“Cili është objekti më i shtrenjtë që keni blerë ndonjëherë?”, e pyeti profesor Përparim Kabo zotin Ilir Panda, ish-ministër i Drejtësisë dhe ish-nënkryetar i KLD. Përgjigja e tij u bë virale në rrjet pasi tha se “Objekti më i shtrenjtë është një penë që ka blerë në SHBA me vlerë 70 dollarë”.

Por Ilir Panda ka sqaruar mbrëmë për gazetarin Roland Qafoku se përse iu përgjigj ashtu pyetjes së Përparim Kabos. Sipas Pandës, për të pena ka një vlerë shumë të madhe shpirtërore dhe jo materiale, sepse prindërit e tij kanë qenë mësues.

“Përse prezantova penën si objektin më të shtrenjtë që kisha blerë?! Për mendimin tim pena përfaqëson një hop shumë të madh cilësor në jetën e njeriut.

Unë vetë jam fëmijë i dy mësuesve. Mamaja ime ka qenë mësuese në shkollën fillore dhe me penë u ka mësuar shkrim e këndim qindra e qindra nxënësve. Babai im ka qenë pedagog i gjuhës, letërsisë dhe përkthyes. Me penë e bojë ai ka shkruar mijëra faqe, ndër të tjera dhe një ditar personal për mua që nga dita kur kam lindur dhe deri kur shkova në klasën e parë. Personalisht kam përdorur të njëjtën penë nga klasa e parë deri në të katërtën. Madje edhe kur erdhën stilolapsat në Shqipëri mësuesja nuk na lejonte të shkruanim me ta, duke na shpjeguar se me penë shkruhej më bukur. Prandaj pra, pena për mua është objekti më i shtrenjtë. Më i shtrenjti nga ana ideale dhe morale. Ai për mua është një objekt i paçmuar, pavarësisht çmimit të tregut që deklarohet. Fakti që kjo gjë nuk u kuptua prej disave për mua përbën vetëm keqardhje.

Kështu pra i gjendur përpara një pyetje tendencioze kisha disa alternativa: Të mos përgjigjesha fare; të kërkoja kohë të mendohesha; të jepja një përgjigje sa për të kaluar radhën; të ironizoja ose të kundërsulmoja personin qe pyeste; etj. Meqenëse nuk doja të fyeja asnjë në atë sallë, aty për aty, vendosa të bëj një ironi me veten. Pra një pyetjeje me sens material t’i përgjigjesha me sensin ideal dhe moral. E përsëris. Duke dashur të mos fyeja askënd, unë guxova të bëj një sprovë, një autoironi, duke e menduar atë edhe si një sakrificë, në formën e mbartjes mbi shpinë të lukunisë së keqdashësve, të të painformuarve ose edhe të ndonjë hallexhiu të paditur). Por një sakrificë që vlen, që të bën më të fortë, të pranueshëm dhe të vërtetë”, ka thënë Ilir Panda.

Më pas Panda ka thënë se nuk është i pasur materialisht dhe se ai që nuk e kupton, është punë e tij. Gjithashtu ka rikonfirmuar se me shtëpinë e shitur që u përmend në seancë nga Përparim Kabo nuk është marrë fare ai, pasi zotëronte vetëm një të katërtën e saj dhe se është e vërtetë që nuk ka makinë personale./Tiranapost.al