25 Rreshtat e Mirës

Tersi veror i kryeministrit

Tersi veror i kryeministrit

Ka një rastësi të çuditshme, gati në magji (jo nga zonja Kryemadhi), kur në ditën që Edi Rama ka edhe gurin edhe arrën në dorë, i dalin histori nga dheu, nga ato që s'ta pret mendja. Madje, edhe këtë verë, që ka gjithë arrat e Shqipërisë, nga Vermoshi në Konispol, telashet s'kanë të sosur!

Për parantezë, sot që flasim, Rama është qeveria, Rama është partia, Rama është Shqipëria!

Gjithçka nisi në 2017-ën, kur mendja s'ia kapte që do fitonte me shumicë (një milion shuplakat, i kujtoni?) dhe nuk pati më nevojë as për marrëveshjen me Lulzim Bashën, që thuhet se shtrihej diku tek 20 vitet ardhshme për Shqipërinë, nuk i duhej më partia acaruese e Ilir Metës me ministrat që ia sillnin shpirtin në majë të hundës, nuk i duheshin as mediat, sepse kish ERTV-në dhe më shumë ndjekës sesa Luana Vjollca, Ardit Gjebrea, Ermal Mamaqi (vetëm imami Naçi ishte përpara), kur ishte më mirë sesa Skënderbeu, i cili 25 vjet u torturua me fiset shqiptare për t'i bërë një mendje, pikërisht në atë verë, papritur kryeministri shfaqi një luftë të brendshme, ku u hoqën nga puna live drejtorë të vegjël abuzues me detyrën dhe u shpik togfjalëshi "bashkëqeverisje". Mund të ketë funksionuar bashkëqeverisja, por qeverisja ka njohur ditë të errëta, të vështira, edhe pse pa rivalë.

Vera e 2017-ës shkoi mërzitshëm, me disa pushime nga puna 'live', gati duke na bërë nostalgjikë për mandatin e parë, ku edhe më inatçori duhet të pranojë që ishte një qeverisje e mirë dhe kryeministri, veç koalicionit pragmatik me LSI-në, ishte në kimi të mirë me shqiptarët por edhe partnerët ndërkombëtarë. Mos harroni dashurinë e Merkelit, deklaratën për Kosovën në Serbi, disa reforma brenda vendit. Punohej!

Sot qeveria është e përbërë nga nulitete dhe sekserë mediatikë.

Partia Socialiste është bërë si Big Brother, ku më shumë dimë ne për ata se ata vetë për sho-shoqin.

Fati i qeverisë, që po e ha dhe verën 2019 me pushime, është budallallëku dhe paaftësia totale e opozitës, por gjithmonë e më pak meritë e PS-së në pushtet. Rasti i fundit i një vere tersi është ai i Shkodrës, me kandidatin e Rilindjes, Pjetrin.

Sikur të ishte i pari, nuk do ishte ndoshta gjëmë kaq e madhe, por është e disata herë dhe për këtë shkak meriton vëzhgim gazetaresk.

Edi Rama nuk ka asnjë mundësi që të ketë pasur dijeni për Pjetrin. As ka dyshim që nuk e ka ditur! Por si mund ta dinte? Dhe pyetja që duhet bërë: -A duhet ta dinte? Po! Pse po?

Se një parti e madhe si PS-ja duhet të kishte ngritur mekanizmat imunitarë. Kush e propozoi kandidatin e Shkodrës? U pyet komuniteti? Po, PS-ja e Shkodrës? Se, nëse në fund rezulton që një kandidat ka histori me krimin, përgjegjësia është e propozuesve në opinionin publik. Pse nuk bëhet vetting për kandidatët?!

Edi Rama duhet të ndajë profilin e tij, nëse është me intelektualët apo peng i tersit dhe magjive. Dhe nëse ai ia lejon vetes bashkëpunimin me ta, atë fat/ters/magji gjen!

Ai do duhet që sot të ndajë një herë e mirë në opinion publik se me kë është. A duhet ai të jetë i rrethuar nga njerëz me pigment politik, intelektual, që të jenë pikërisht mendje dhe profile të pastra, që ta rrezatojnë atë në opinionin publik, apo elemente e që ia sfilitin imazhin si një politikan perëndimor, personazh jokonvencional, që ka hyrë në politikë si një publicist dhe përparimtar!

Sa për kujtesë, PS-ja me Edi Ramën arriti të fitonte kundër Sali Berishës në pushtet falë ideve dhe njerëzve që të ngjallnin shpresë. Falë një skuadre që e përzgjodhi ai vetë, me shumë pasion, në vitet e tij të opozitës, “siç nxirren perlat nga guaska”, ka një varg Kadare në një nga poezitë e tij.

Disa ikin, disa zhgënjejnë, por Edi Rama s'mund t'ia lejojë vetes besimin se ai i vetëm, i vetmuar na mjafton! Se nuk është përgjegjësi e tij se çfarë bëjnë bashkëpunëtorët dhe njerëzit që ka zgjedhur vetë. Nuk mund të vendosë një njeri kush hyn e kush del, por sistemi dhe rregullat e lojës. Kështu propabiliteti që të të ecë ters zvogëlohet!

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]