Aktualitet

Tërbim dhe bekim

Tërbim dhe bekim

Gazetarja dhe shkrimtarja gjermane Elke Schmitter demonton Peter Handken.

Ja, pra, Handke, edhe njëherë. Raundi i parë i eksegjezës ndodhi gjatë luftërave të Ballkanit. Rezultati është i njëjti: shkrimet e Handkes mbi Jugosllavinë janë falsifikuese dhe demagogjike – një formë e kiçizuar e propagandës shtetërore serbe (sepse edhe opozitë ka pasur!) Gjatë hulumtimeve në Ballkan kanë vdekur së paku 40 gazetarë. Tribunali Ndërkombëtar i Krimeve të Luftës në Hagë ka intervistuar viktima, mjekët e forenzikës kanë seleksionuar eshtra, ka qenë një proces shumëvjeçar juridik. Por, kujt i intereson kjo, ky rezultat saktësisht i dokumentuar i quajtur realitet?

Së paku jo gazetarëve të kulturës, të cilët vazhdimisht shkonin si pelegrinë në Paris për ta pyetur orakullin e botës dhe për të dëgjuar gazetarinë që përbuzej. Duhet të jetë diçka frikshëm spektakolare të marrësh shënime te ky pasardhës i vetëquajtur i Homerit, të cilit më shumë i pëlqen te flasë me lisa se me njerëz të zakonshëm? Një burrë i vetmuar, e cili zbret nga mali me një sihariq, ky rol është hit medial që nga koha e Mojsiut. Edhe Ernst Jüngeri (shkrimtar gjerman dhe në fillim të karrierës së tij, publicist i ekstremit të djathtë në vitet ’20, v.j.) në shtëpinë e tij malore dhe Martin Heideggeri (filozof gjerman me simpati për regjimin nazist, v.j.) në kasollen e tij në Schwarzwald (kodra në Gjermaninë jugore, v.j.) kanë treguar sa në ç’nivel kolosal mund të gabojnë profetët e gjuhës gjermane. Dhe çfarë mjalti mund të nxjerrësh nga nënshtrimi. Parakusht për këtë, ndërkaq, është të dish pak për Jugosllavinë dhe të mos jesh në gjendje të gjykosh se çfarë «është duke vënë ai (Handke) në dyshim». Por kush e kupton Ballkanin? Për këtë do të duhej të lexosh gazeta!

Për mua shkrimtari Peter Handke është një këngëtar i hershëm i së djathtës internacionale. Përmbajtësisht duke e bekuar me retorikë mendësinë nacionaliste dhe lodhjen e përgjithshme nga civilizimi. Kundër konsumit dhe komplotit botëror të Perëndimit, bashkësi në vend të shoqërisë, përbuzje të shkencës dhe krahas kësaj pak urrejtje ndaj grave – me kaq mund të përmblidhet krejt programi. Stilistikisht, përmes qasjes së tij: dy fjalë para, një pas, mes tyre mjegullnajë.

Por pse t’i interesojë kjo kritikës letrare dhe Komitetit të Nobelit, i cili tani Handken e futi në kanonin letrar?

Kur atje larg, diku në Turqi, popujt kacafyten mes vete, ti rri në dritare dhe zbraz gotën deri në fund.

(Der Spiegel, Hamburg)

Nga gjermanishtja:

Enver ROBELLI

Linku origjinal këtu. / Tiranapost.al.