• Shqip
  • English
  • E diel, 18 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Sport Të gjitha

    Tension dhe polemika, në Durrës humbet vetëm gjyqtari


    Nëse gjyqtarit do ti lejohej të fliste pas ndeshjes, me siguri do ishte i pari që do intervistohej dhe pa asnjë diskutim që do vihej me shpatulla pas murit. Skuadrat nuk luajtën keq, ai nuk ishte në formë.

    Sigurisht që në fund i kompensoi gabimet, por kjo teori është më e dëmshmja gjatë një ndeshje. Një karton i kuq i padhënë për Atandën (edhe Starova e pranoi që ai gaboi) dhe një penallti e padhënë për të kuqtë në fundin e ndeshjes kur dora e një mbrojtësi të Teutës pengoi topin e Ekubanit.

    Nëse shton dhe pretendimin e Maganit për një tjetër penallti të Teutës, atëherë qartësisht më i kontestuari del gjyqtari. Për pak harruam terrenin, fusha e Durrësit duhet ribërë.

    Të premten pasdite në Durrës kish më shumë tifozë se zakonisht. Rreth 1 mijë ishin vendas, gati 500 nga kryeqyeti. Vëmendje maksimale. Teuta nuk e meriton vendin që ka në renditje, sidomos me atë që ka treguar pas janarit.

    1-0 kundër Tiranës, humbet me shumë raste 0-1 në Kukës dhe tani 0-0 me të kuqtë. Jo keq, por kampionati është i gjatë dhe i vështirë. Në fund djali i trajnerit Magani nuk bëri asnjë poelmikë me të atin. “Edhe nëse nuk luaj asnjë minutë, nuk mund ti mbaj dot mëri”. Ndoshta duhet të luajë nga minuta e parë sepse sa herë që luan është rrezik i madh për kundërshtarët.

    Te Partizani çështjet janë disi më të mëdha. Trajneri Starova e ka lënë Filin jashtë 18-es por ai nuk ka pranuar të shkojë në tribunë dhe është larguar drejt kryeqyetit.

    Ka menduar madje që do jetë në formacion, por nuk ish as në pankinë dhe nuk i kanë mbajtur nervat. Starova në konferencë e mbrojti duke thënë që kish një problem familjar por patjetër që sjellja e Filit nuk do kalojë paq në ambjentin e trazuar të të kuqve.

    Ndërkohë jo gjithçka shkon në perfeksion. Mazrekaj zëvëndësohet megjithëse doli njeriu i ndeshjes, ndërkohë që blerja Çetkoviç nuk luan asnjë minutë.

    Bonifejs nuk ishte ai që u prezantua në merkato, ndërsa Ekuban diçka ka humbur me fillimin e këtij vit kalendarik.

    Mazrekaj vetë madje e pranon “pas këtij barazimi ndoshta humbëm një shans për të dalë kampion”, por gjithë ky fatalitet nuk lejohet. Në fund të fundit janë dhe 15 ndeshje dhe gjithçka mund të ndodhë.

    Barazimi ishte rezultati më i drejtë në ndeshjen e parë të javës së 21-të dhe sigurisht që është rezultat i drejtë por të paktën të ishte me gola. Në përgjithësi si ndeshje nuk meritonte që të mbaronte me rrjeta të paprekura.