Aktualitet

Tempull dhe guru në festë? Ka një arsye

Mund të jetë dukur si një dekor më shumë, për ta bërë atmosferën indiane. Por nuk është krejt ashtu. Pasi na ka bërë përshtypje një fotografi gjigante e një guruje (udhëheqësi shpirtëror) dhe një ritual hinduist me kurora lulesh në hyrje të Pallatit të Brigadave, në festën e organizuar të enjten në mbrëmje për ditëlindjen e 15-të të Agjensisë Global Travel, kemi pyetur dhe kemi mësuar që nuk ka qenë aspak për dekorim. Përkundrazi, portretet e udhëheqësit shpirtëror Swami Vishwananda kanë pasur një rol të jashtëzakonshëm në gjithë mbarëvajtjen e mbrëmjes.

Drejtuesja e agjensisë, Ornela Zholaj, sapo është kthyer nga një pelegrinazh në Indi, një udhëtim në vende të shenjta, udhëhequr nga vetë guruja, që me atë rast kishte dërguar dhe një videomesazh për të pranishmit, për shumicën e të cilëve nuk ishte aspak i panjohur, përderisa tashmë ka një rreth të gjerë ndjekësish në Shqipëri.

Veç përshëndetjes dhe përçimit të mesazhit të tij themelor “Just Love, vetëm dashuri”, kërkesës me humor për t’i ndihmuar që të mbante koha, ngaqë në Tiranë ato ditë ishte kthyer një dimër i vogël, guruja i është përgjigjur duke qeshur: “Moti ndryshon”.

Dhe ashtu ka ndodhur vërtet! Vetëm gjysmë ore përpara fillimit të festës nën qiell të hapur, që me siguri do të kishte dështuar, shiu ka rreshtur dhe gjithë dekori, zbukurimet, ushqimet, dritat… janë montuar në një kohë rekord prej tridhjetë minutash… Një punë e bërë më së miri, frymëzuar prej një energjie të jashtëzakonshme.

“Just love, vetëm dashuri” ka thënë në fjalimin e saj të shkurtër edhe drejtuesja e agjensisë, Ornela Zholaj, pa u ndalur fare të numëronte sukseset e kompanisë në 15 vjet apo planet e së ardhmes. Dashuria dhe bekimet që në hyrje, u kanë mjaftuar të gjithëve për të kaluar një mbrëmje sa argëtuese, po aq edhe mistike.

Fotot, që duket sikur vijnë nga bota indiane, janë realizuar të gjitha gjatë asaj mbrëmjeje në  Pallatin e Brigadave.

Tiranapost.al