Aktualitet

Temperaturat e larta, 11 vatra zjarri në Shqipëri. Digjen ullinjtë e vjetër të Beratit

Emergjancat Civile kanë njoftuar se vetëm në 24 orët e fundit në Shqipëri janë shfaqur 11 vatra zjarri, ku situata më problematike ka qenë në Fier, Berat dhe Dibër. Si pasojë e zjarrit në këto zona janë djegur 15.5 hektarë me shkurre dhe mbi 500 rrënjë ullinj të moshës së vjetër. Gjithashtu zjarre ka pasur edhe në Shkodër, Elbasan dhe në zonën e Rrogozhinës.

Në qarkun e Beratit ka pasur 3 vatra zjarri ku më problematikja ka qenë në lagjen “Qafa e Kalasë”, poshtë shpatit të kalasë të qytetit Berat. Nga zjarri u dogj një sipërfaqe prej rreth 6 ha me shkurre e ferra dhe 500 rrënjë ullinj të moshës së vjetër.

Në qarkun e Fierit zjarri i rënë në mesditë në një kodër të fshatit Selitë, Njësia Administrative Selitë, Mallakastër ka djegur një sipërfaqe prej rreth 8 hektarësh me shkurre dhe ferra.

Në qarkun e Dibrës, në vendin e quajtur Lura nr.2 në fshatin Pregj Lurë, Njësia Administrative Lurë ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll ahu dhe pishe. Për shkak të terrenit të thyer, automjetet e zjarrfikësve nuk kanë mundur të ndërhyjnë për shuarjen e këtij zjarrit. Si pasojë e flakëve është djegur një sipërfaqe pylli prej rreth 0.5 ha.

Në fshatin Zhabjak, Njësia Administrative Kryevidh, bashkia Rrogozhinë ka rënë një zjarr në një sipërfaqe me shkurre e ferra, ullishte e pemë frutore. Zjarrifikëset bënë të mundur shuarjen e flakëve të cilat rrezikonin disa banesa në fshatin Zhabjak. Si pasojë e zjarrit u dogjën shkurre e ferra, rreth 16 rrënjë ullinj dhe rreth 12 pemë frutore.

Prefektët e qarqeve kane nisur ngritjen e shtabeve te emergjencave, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile u kërkon të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129, apo në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në numrin 0694110198./Tiranapost.al