Aktualitet

Tefta Radi, një bionde nën diktatin e TVSH-së

Ky vit nuk ishte më i miri për Tefta Radin. Humbi udhëtarin e saj të jetës, Françeskun, u largua nga Shqipëria dhe për ata që e deshën la një boshllëk. Patjetër edhe për ne, që ia adhuruam zërin, figurën, pamjen për aq shumë vite. Ata që nuk e kanë parë në erkan, se nuk u përkasin atyre viteve, me siguri duhet të kenë dëgjuar për të. Që ka qenë spikerja më e njohur e lajmeve dhe që ka pasur zërin më të pangatërrueshëm. Edhe pse në vite shumë të vështirë, ku një xhaketë e një kostum ishin luks, kur Tefta Radi lexonte lajmet, kishe qejf ta shihje, do thoshin mamatë tona. Sepse me ato pak mundësi që ofronte ajo periudhë, sidomos për zonjat e pakta ekranit, biondja e përjetshme e TVSH-së vishej me shije. Në një intervistë të disa viteve të shkuara Tefta na ka rrëfyer për veshjen e ekranit. Vërtet nuk është një shkrim i kohëve të fudsit, por për Teftën mund të lexosh çdo herë me dëshirë...

Nga Klaudeta SKËNDERASI

E sheh gjithmonë të veshur shumë thjesht. Kryesisht me bluza pambuku. Ka hequr dorë edhe prej takave të larta. Thua se nuk ka lidhje fare me spikeren legjendare, që për 24 vjet është bërë fytyra e edicionit të lajmeve në Televizionin Shqiptar. Por edhe pse larg xhaketave klasike dhe pamjes shik, që ka shfaqur përherë në ekran, çdo sy do të ishte i pagabueshëm përballë saj: është Tefta Radi. Folësja më e spikatur e lajmeve, e cila përveç zërit që bëri epokë, nuk mund të mos admirohej edhe për një pamje përherë aq klasike dhe elegante. Nuk është renditur ndër maniaket e paraqitjes së jashtmes, por veshjen e saj nuk ia ka lënë kurrë në dorë rastësisë. I ka dhënë vendin që meriton që kur ishte ende nxënëse shkolle dhe kujdesej aq shumë që përparësja e saj e zezë të kishte kopsa të bukura dhe jakë të bardhë të qëndisur, apo kur dita e 1 Majit duhet ta gjente me çorape të bardha dhe fustan të ri.

E tërhequr veçanërisht pas basmave me dizenjo me lule të vogla dhe pika, mundohej përherë që modeli i fustanit të saj të ishte i veçantë. Ishte koha kur studion e lajmeve as që e mendonte, madje nuk kishte asnjë lloj ngjashmërie me zonjën bionde që në orën 20:00 duhej t’u thoshte të gjithë shqiptarëve “Mirëmbrëma. Po japim lajmet”. Ishte një vajzë me flokë të gjatë ngjyrë gështenjë, që nuk mund të qëndronte kurrsesi indiferente ndaj modës. Madje ndonjëherë i është dashur që të shkëmbejë një jakë dekolte dhe një gjatësi katër gisht mbi gju me ndonjë shpullë nga prindërit, që sigurisht një model të tillë e shihnin me gjak të ngrirë.

tefta radi 4

“Mbaj mend që në mbrëmjen e maturës doja të vishja një golf, që atëherë sapo kishte dalë në modë dhe mua më dukej vërtet diçka e veçantë. Por babai im nuk më lejoi ta vishja. Prindërit tanë kanë qenë shumë të mbyllur ndaj modës. E megjithatë, ndonëse shpesh s’kemi veshur atë që dëshironim, ndonjëherë se nuk na linin dhe ndonjëherë se nuk arrinim të blinim basmën që na pëlqente, edhe atëherë është bërë modë dhe ka qenë vërtet një modë e bukur. Kemi mbajtur minifunde dhe jaka dekolte”.

tefta radi 2

Tani që kanë kaluar aq vite, Tefta Radi nuk mund të mos kujtojë fustanet me dantellë, basmat me lule dhe modelet e sajuara herë me bel lart e herë me bel poshtë, herë me kopsa të mëdha e herë me ngjyra të forta, filetat e mëngëve, jakat e veçanta dhe trikot prej akriliku të punuara në dorë.

Dhe këto, derisa u gjend përpara objektivit të kamerës televizive, kur veshja e saj do t’u përshtatej kornizave të mirëpërcaktuara të studios së lajmeve, kur i duhej që të kishte një pamje serioze dhe përveç kësaj nuk do të kishte më shansin e përzgjedhjes së veshjes së saj. “Në atë kohë veshja e ekranit ishte e përcaktuar. Copat dhe modelet përzgjidheshin nga këshilli artistik i televizionit dhe bëhej fjalë për një veshje në një tjetër këndvështrim. Nuk të lejohej që të dilje para kamerave me jaka dekolte, me ngjyra të ndezura apo me bizhuteri të rënda. Maksimumi mund të vendosje një palë vëthë të lehtë. Ngjyrat e xhaketave anonin kryesisht nga tonet e blusë dhe modelet shumë të thjeshta dhe serioze. Kurse sa për kozmetikën, përdoreshin markat më të mira të makijazhit të ardhura nga Franca”.

tefta radi

E megjithatë, edhe pse asokohe në televizion nuk mund të flitej për modë, Tefta Radi iu përshtat me shumë dëshirë modeli të gatshëm të spikeres së lajmeve, duke u kthyer në shumë vite në ikonën e televizionit shqiptar.

Derisa era e viteve ’90 do të sillte ndryshimin e madh: për Teftën tashmë gardëroba e ekranit do të ishte thjesht e shenjtë. Tashmë ishte e lirë që xhaketat e saj të kishin ngjyrat që asaj i pëlqenin –dhe ajo i preferonte të gjitha- dhe modelet gjithashtu të ishin të prera sipas shijeve të saj të holla. Sigurisht gjithçka brenda seriozes dhe kornizës që të lejonte ekrani. “Pas viteve ’90 gjërat do të ishin më të thjeshta. Shfrytëzova të gjitha udhëtimet e mundshme jashtë Shqipërisë për të “themeluar” nja gardërobë të re me xhaketa nga më të mirat, të cilat do të ishin vetëm për të dhënë lajmet dhe nuk do të prekeshin për asnjë arsye tjetër. Do të kisha rreth 20 xhaketa, që për shumëkënd janë konsideruar shik”.

tefta radi 5

Fakti që ato xhaketa për të do të ishin të shenjta, do të bënin edhe që pamja e saj në ekran të ishte aq serioze dhe e rafinuar, duke e thyer Tefta Radin në të vetmen spikere lajmesh, që identifikohej aq lehtësisht nga zëri karakteristik dhe flokët e saj biondë, të cilët kanë pasur gjithmonë model perfekt. “E kam respektuar ekranin aq sa kam respektuar publikun, prandaj edhe nuk i kam lejuar vetes kurrë që në asnjë ditë pamja ime të kishte ndonjë detaj që nuk shkonte. Sidomos për flokët kam treguar shumë kujdes. Kam ndërruar shumë modele, por në të gjitha herët flokët më kanë ndenjur ashtu siç i kam dashur, pa lëvizur as qimja. Aq sa shumëkush edhe sot e kësaj dite mendon se i kam pasur paruke. Ndoshta ngaqë nuk ua kam ndryshuar kurrë ngjyrën. Filluan të më thinjeshin shumë herët, që kur kamë qenë 18 vjeçe. I ktheva në ngjyrë të verdhë, sepse kështu e kisha më të thjeshtë për të maskuar thinjat”.

Ekrani ishte për Teftën një idhull dhe veshjet për të do të ishin të paprekura, të njëjtin kujdes ajo tregonte edhe me veshjet e rasteve të veçanta, të cilat do t’i jepnin gjithmonë pamjen e zonjës elegante që mbante gjithmonë taka të larta dhe rroba të përzgjedhura me shumë shije. Nuk e ka preferuar kurrë ekstravaganten, edhe pse i është dashur të jetojë me të. “Unë kam qenë gjithmonë serioze në veshjen time, por kam qenë përherë në kontakt me modernen dhe ekstravaganten, që kur isha e re dhe bashkëshorti im preferonte të vishej ndryshe, të mbante flokë të gjatë dhe të dëgjonte një muzikë ndryshe, dhe tani është që djali im preferon të vishet me rroba aq ekstravagante, të cilat ndonëse nuk më pëlqejnë, janë zgjedhjet e tij”.

Pas largimit nga stuidoja e lajmeve dhe punës në terren si gazetare, Tefta vazhdoi të ruajë po atë pamje të veçantë e unike, që ne do ta kujtojmë me shumë respekt e përmallim.

Korrik, 2006