OpinionTe gjitha

Teatri apo kullat?


Nga Arkond Canaj (Arkitekt) / Një ankth ka kapluar vendin këto ditë. Është po ajo ndjesi, e përhershmja, sa herë na ndodh të përballemi me diçka jashtëzakonisht të mirë. Strukemi për një çast në paranojën ende të pabonifikuar prej së kaluarës dhe fillojmë të kërkojmë me gjuhën si dell ndër dhëmballë për hilen e radhës. Ky është po ai instikt, i cili na ka mundësuar të mbijetojmë në shekuj dhe në të njëjtën kohë të jemi mjerisht të varfër.

Autori i shkrimit, Arkond Canaj (Arkitekt)

As Giulio Bertè e biles as Bjarke Ingels nuk mund të projektonin në Shqipëri projketin më të vlefshëm: ndërtimin e shtresës së mesme. Sepse ndryshe nga sa mendohet gjerësisht këto kohët e fundit këtu tek ne, arkitektët, edhe ata më futuristë nuk munden, të vetëm, të  ndryshojnë një popull të tërë. Nuk kam dëshirë të sjell këtu shembuj ilustrues, nga Kulla Eiffel (Gustave Eiffel), Piramida e Luvrit (Ieoh Ming Pei), Muzeu Guggenheim në Bilbao (Frank Gehry) e deri tek Sagrada Famillia (Gaudi), shembuj të cilët do mjaftonin për t’u ndier, fatkeqësisht shumica prej nesh, sa të paditur aq edhe të parashikueshëm. Edhe në këto raste delli është bluar mirë e mirë nëpër dhëmballët e kalbura të atyre të cilët në një dorë mbanin hunjtë e në tjetrën zverkun e ndonjë merhumi pa mend e pa zanat, e pasi e pështyjnë të jarguar dellin e bluar marrin merhumin për zverku e kthehen përsëri në gropën e harresës, aty ku krimbat e ndërgjegjes nuk lënë mbrapa jo muskuj e dell, po as kockë.

Kurrë nuk mendoja se sa të isha gjallë (e të jem i sinqert as i vdekur) do më dëgjonin veshët se kryekomunari i radhës në këtë katundin tonë të madh do t’i kërkonte një ndërtuesi, JO LEKË, JO PËRQINDJE, por një Teatër të ri! Kjo është shumë e bukur për t’u besuar… Kjo është edhe shumë e bukur për t’u bërë realitet… Ne duhet të bëhemi bashkë për ta penguar! Ç’është kjo shthurje? Ku janë vlerat që kemi promovuar për 30 vjet? Çfarë do ndash me bashkëpunëtorët e tu, o kryetar? Bileta falas? Çfarë u premtove deputetëve kur kalove ligjin? Kokoshka? Djalë i mbarë, thirri mendjes!

Shtresa e mesme në Shqipëri ndahet në 3 kategori. Të parët janë ata që  kanë paga prej shtrese të mesme dhe jetojnë si shtresë e lartë të cilët  ndryshe rëndom i quajnë “kopila”. Të dytët janë ata që paguhen si shtresë e mesme dhe jetojnë si shtresë e mesme, të cilët ndryshe, rëndom, i quajnë “budallenj”. Dhe ata që paguhen si shtresë e mesme dhe jetojnë si shtresë e ulët, të cilët ndryshe, rëndom, i quajnë… në fakt këtyre të fundit nuk është lodhur askush t’u vendosë një epitet, se nuk pjerdh njeri për këta. Me këta nuk lë dot një darkë, nuk lë dot një fundjavë, nuk lë dot një udhëtim jashtë, se këta çdo lek që kanë, o kredi, o ilaçe, o pleqtë, o kalamajtë, o drita e dreqi me të birin. Me këta maksimumi mund të lësh të shohësh ndonjë shfaqje në teatër (se në kinema s’vijnë këta, se s’kanë lekë për patatina e kokoshka). Edhe teatrin mund ta lësh nga prilli në maj, në qoftë se nuk do të të ngrijë kupa e gjurit dhe nga shtatori në nëntor, në qoftë se nuk do të të mbledhin në fund të shfaqjes me shtupë e të të shtrydhin në lavamanin e banjos së Teatrit.

Në këtë moment që po shkruaj këto rreshta jam në zyrë. Në katin e gjashtë të kullës së parë me njësi shërbimi në Tiranë e nga fasada e xhamit shoh njëkohësisht Qendrën Toptani dhe Hotel Plazan. Përpiqem t’i shtrembëroj me mendjen time këto objekte e t’i perceptoj si përbindësha, përpiqem t’i pikturoj me fantazi Plazës një gojë të madhe prej gjarpri kobra e atë fasadën e gurtë ta shndërroj në një lëkurë me luspa të mprehta. Me një penelatë e zhduk fasadën e akullt të Qendrës Toptani dhe e kthej në një gëzof të verdhë e të pistë, portat hyrëse madhështore i shndërroj në nofulla të jargavitura e të gjakosura nga mëlçia e kërmës së radhës…Troket dera…

E humbas për një moment e pastaj gjithçka më kthehet si më parë, dy godinat qëndorjnë aty, me një fisnikëri, me një fisnikëri, hija e së cilës më ra rëndë mbi krye.