Aktualitet

Të vetëpunësuar dhe me paga të ulëta, ja gjendja e punonjësve shqiptarë

Mes vetëpunësimit dhe papunësisë ekziston një lidhje e drejtë ku sa më e lartë të jetë përqindja e të vetëpunësuarve aq më e lartë është edhe shkalla e papunësisë. Në këtë kontekst, një lidhje e zhdrejtë paraqitet edhe mes vetëpunësimit me të ardhurat mesatare vjetore nga paga. Është kjo analiza që bën media italiane “Il sole 24 ore” e specializuar në fushën e ekonomisë.

Numrin më të lartë (në vlerë absolute) të të vetëpunësuarve në Bashkimin Europian e mban Italia me 4.7 milionë persona, apo rreth 21.5% e forcës punëtore. Ndërsa si peshë (% ndaj totalit të forcës punëtore) e mban Greqia me 29.5%. Në ekstremin tjetër gjendet Danimarka me 7.7% të popullsisë aktive, që i jep punë vetvetes. 

Sipas analizës, vetëpunësimi është gjithashtu i lartë, atje ku të ardhurat nga pagat janë të ulëta. Nga të dhënat e përpunuara nga revista Monitor për Shqipërinë dhe nga Eurostat për shtetet e tjera, vihet re se individët përpiqen që të krijojnë hapësira punësimi për veten në ato shtete, ku përpos papunësinë së lartë, edhe pagat janë shumë të ulëta. Në Shqipëri të vetëpunësuarit përbëjnë 36% të të punësuarve.

Nga përllogaritjet e Monitor, të ardhurat mesatare vjetore nga paga janë 4,332 dollarë në vit, shumë herë më të ulëta se vendet e BE-së të marra në analizë.

Shqipëria dominohet nga sipërmarrje të vogla, që kanë qenë zemra e ekonomisë, por që tani po vuajnë pasojat e rimodelimit të saj, si kalimi drejt subjekteve të mëdha (qendrave tregtare e supermarketeve), që po çojnë drejt mbylljes shumë prej tyre. Pas viteve ‘90, e gjithë ekonomia shqiptare është e mbështetur te sipërmarrjet e vogla dhe vetëpunësimi. Hapja e një dyqani në lagje, me qira, apo në pronësi, ka qenë në vite një formë vetëpunësimi për pjesën më të madhe të shqiptarëve, që në mungesë të alternativave të tjera, i kanë dalë për zot vetes. Sipas sondazhit të kryer nga revista Monitor, 70% e bizneseve që mbyllen në Shqipëri japin si arsye krizën dhe detyrimet e pashlyera që nuk kanë mundësi t’i paguajnë./Tiranapost.al

Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]