Aktualitet

Të tregosh hënën në vend të gishtit, Branko Milanovic: Për uljen e pabarazive nuk është bërë asgjë

"Ndarja e re nuk bëhet mes të majtës dhe të djathtës, por mes atyre që janë për globalizim dhe atyre që duan mbylljen e ekonomive nga lëvizjet migratore deri në ksenofobi. Prandaj ka një rikonfigurim të shtetit dhe është shumë e vështirë të thuhet se çfarë duhet bërë. Ka dy rrugë: E para është të kthejmë mbrapsh procesin e globalizimit duke nisur luftën tregtare. Por unë nuk mendoj se kjo gjë mund t’i ndihmojë viktimat e globalizimit dhe madje do të godiste pjesën tjetër të botës, si për shembull Kinën, që po lufton varfërinë. Mundësia tjetër është të bëjmë politika në nivel kombëtar për të ndihmuar njerëzit që janë dëmtuar nga globalizimi duke i rifutur në hapësirën politike."
Të tregosh hënën në vend të gishtit, Branko Milanovic:

Ishte ndër të parët që në fillim të krizës ekonomike të dhjetë viteve më parë, tregoi hënën në vend të gishtit: shpërthimin e pabarazive dhe vuajtjet e shtresës së mesme në botën e pasur. Tashmë ekonomisti amerikan Branko Milanovic udhëheq studimet mbi pabarazinë globale dhe paralajmëron: nga kriza e fundit që tronditi botën, nuk është bërë asgjë për të rregulluar prishjen e ekuilibrave. Mbi pabarazinë është folur shumë, por nuk është bërë asgjë.

Në dhjetëvjeçarin që pasoi krizën e vitit 2008, demokracitë perëndimore janë në gjendje të keqe dhe procesi i globalizimit është në rrezik. Kjo sëmundje nisi në vitin 2008, apo ekzistonte edhe më parë?

Problemet që kemi sot vijnë nga kombinimi i dy faktorëve: politika të gabuara përpara krizës dhe përgjigje të gabuara ndaj krizës. Politikat e neoliberalizmit, derregullimi financiar, globalizimi dhe shkalla e lartë e pabarazive ekzistonin edhe më parë. Kriza e vitit 2008 i nxori zbuluar dhe të gjitha këto probleme u përkeqësuan me uljen e rritjes ekonomike dhe rritjen e papunësisë. Përgjegjësit nuk patën pasoja. Disa prej tyre u hetuan formalisht në Shtetet e Bashkuara, por nuk paguan për dëmin. E gjitha kjo nuk bëri gjë tjetër veçse rriti pakënaqësinë në popull.

Edhe njerëzit më të fuqishëm të financave amerikane kanë shkruar në rastin e dhjetë vjetorit të falimentimit të Lehman Brothers, më 16 shtator 2008, duke folur shumë për pabarazinë. Por çfarë lidhje ka pabarazia me ato pamjet kur punonjësit me kuti kartoni largoheshin nga Wall Street?

Në vitet përpara krizës, pabarazia u rrit në nivele shumë të larta duke goditur jo vetëm të varfrit por edhe shtresën e mesme. Mungesa e të ardhurave bazë në Shtetet e Bashkuara bëri që amerikanët të futeshin në borxhe me shpejtësi. Për pak kohë kjo gjë dukej se ecte mirë: të ardhurat nuk rriteshin, por me borxhe mund të ecej përpara. Këto politika ishin iniciativë e qeverisë së George W. Bush, e cila donte që çdo amerikan të zotëronte një shtëpi dhe natyrisht favorizohej sistemi bankar, i cili jepte hua dhe merrte interesat e huasë. E gjitha kjo mori fund kur u pa se nuk mund të rimbursohej më borxhi. Lidhja mes rritjes së pabarazive, varfërimit të shtresës së mesme dhe krizës, për të cilën në vitin 2008 flisnin shumë pak veta, me kalimin e kohës u kuptua dhe u pranua.

Çfarë ndodhi me krizën?

Në fillim u goditën më të pasurit, që kishin pasuri financiare dhe më pas shtresa më e varfë e popullit. Pas vitit 2010, kur nisi ringritja të paktën në Shtetet e Bashkuara, efektet ishin të kundërta dhe pabarazia nisi të rritet. Në vitin 2010 në Shtetet e Bashkuara u rikthye niveli që ishte para krizës, në vitin 2013 u rrit dhe në vitin 2016 u rrit edhe më tej. Një dinamikë e tillë u pa edhe në Europë, edhe pse e ndryshme në shtete të ndryshme. Në këtë mënyrë patëm një paradoks, përkundrejt diskutimit të madh dhe rëndësisë që i është dhënë çështjes së pabarazisë, kjo ka vazhduar gjithsesi të rritet.

Pse?

Nëse shohim veprimet efektive të marra nga qeveritë në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në Europë në termat e pabarazive, nuk gjejmë asgjë konkrete. Qasja e përgjithshme është kjo: kur të rikthehet rritja, gjërat do të rregullohen, njerëzit do t’i harrojnë të gjitha këto çështjet që lidhen me pabarazitë dhe gjithçka do të rikthehet si më parë. Por ajo që ndodhi në të vërtetë – Brexit, zgjedhja e Trump, rritja e AFD-së në Gjermani, Le Pen në Francë, zgjedhjet në Itali – nuk u parashikuan nga qeveritë e paskrizës. Nuk u bë asgjë, nga njëra anë sepse nuk mendonin se duhet të bënin diçka dhe nga ana tjetër axhenda politike ishte e zënë me të tjera gjëra.

Ju keni folur për përgjigje të gabuara ndaj krizës. Por Shtetet e Bashkuara dhe Europa, në atë kohë iu përgjigjën ndryshe krizës. Në Bashkimin Europian nuk patëm stimulin fiskal të Obamas, por në të kundërt patëm ashpërsimin e financave.

Këtu futemi në fushën e makroekonomisë dhe nuk do ta përpunoj shumë. Por mendoj se stimuli fiskal i Obamas nuk ishte i destinuar për shtresën e mesme, por u dha për të mbuluar humbjet e sistemit bankar dhe për t’u siguruar se nuk do të shkohej drejt një Depresioni të Madh. Për Europën duhet të futemi më shumë në thellësi. Pafuqia e saj vjen prej tre faktorësh: Së pari është kriza dhe efektet e saj si ngadalësimi i rritjes dhe rikuperimi shumë i dobët dhe i avashtë. Së dyti është globalizimi dhe ndryshimet teknologjike, që kanë ndikuar në shtresën e mesme të të gjithë vendeve perëndimore duke humbur shumë vende pune. Faktori i tretë është emigrimi, alarmi më i madh në afatgjatë, i cili do të zgjasë për disa dekada sepse diferenca e të ardhurave mes Europës dhe Afrikës Veriore dhe Qendrore është shumë e lartë dhe nuk do të ulet. Bashkimi i këtyre tre faktorëve na shpjegojnë se pse situata në Europë është kaq e vështirë.

Si shpjegohet fakti se partitë fitojnë më shumë me kartën e emigracionit në rajonet veriore dhe më të zhvilluara të Europës? Ndoshta ekonomia nuk shpjegon gjithçka?

Nëse shohim hartën e protestave, në realitet do të shohim se forcat ekonomike janë të shumta. Brexit fitoi në zonat e lëna pas dore në Angli. Edhe në Gjermani, AFD triumfoi në rajonet lindore, më të varfra. Në Francë, Fronti Nacional ishte më i fortë në veri ku ndodhet zemra e industrisë. Ka argumente të fortë për të thënë se forcat ekonomike janë thelbësore për të shpjeguar suksesin e ekstremit të djathtë. Por ka edhe raste të tjera, si Italia e veriut, por këtu është edhe prezenca historike e Lega Nord e cila arriti edhe një penetrim të lehtë në jug, duke shfrytëzuar pakënaqësinë ndaj emigrimit. Në Europën lindore nuk mund të shpjegojmë Orban dhe Kazzynski nëse nuk marrim parasysh revolucionet e vitit 1989, sepse ajo që shohim sot në sjelljen ndaj emigrantëve i ka rrënjët në nacionalizmin e lëvizjeve të vitit 1989.

Forcat ekonomike për të cilat flisni janë transnacionale. Çfarë instrumentesh kanë qeveritë kombëtare për të kundërshtuar shkaqet ekonomike të shokut politik që po ndodh?

Mendoj se duhet të jemi të vetëdijshëm për faktin se po jetojmë në një kohë të veçantë. Po marrim pjesë në një rikonfigurim të hapësirës politike si në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe në Europë. Kjo nuk kishte ndodhur që prej vitit 1945. Ndarja e re nuk bëhet mes të majtës dhe të djathtës, por mes atyre që janë për globalizim dhe atyre që duan mbylljen e ekonomive nga lëvizjet migratore deri në ksenofobi. Prandaj ka një rikonfigurim të shtetit dhe është shumë e vështirë të thuhet se çfarë duhet bërë. Ka dy rrugë: E para është të kthejmë mbrapsh procesin e globalizimit duke nisur luftën tregtare. Por unë nuk mendoj se kjo gjë mund t’i ndihmojë viktimat e globalizimit dhe madje do të godiste pjesën tjetër të botës, si për shembull Kinën, që po lufton varfërinë. Mundësia tjetër është të bëjmë politika në nivel kombëtar për të ndihmuar njerëzit që janë dëmtuar nga globalizimi duke i rifutur në hapësirën politike. E di mirë që është më e thjeshta ta thuash se sa ta bësh. Nuk kemi një grup politikash të gatshme, por besoj se kjo është rruga ku politika dhe e majta duhet të shohë, jo të rikthehet në mendimet e shekullit të kaluar./Branko Milanovic është ndër ekonomistët që kanë studiuar në thellësi shkaqet dhe efektet e pabarazisë. Ai është profesor në disa universitete amerikane dhe në të shkuarën ka punuar në Bankën Botërore. Intervista u përkthye nga Erjon Uka për “Blogu i rërës” në Tiranapost.al