Blogu i Rërës Ekonomi Te gjitha

Të shmangësh dështimin: Një propozim i ri nga nobelisti Richard Thaler


Si mund të parashikohen dështimet nga vetë kompanitë? Richard Thaler, i cili nëntorin e kaluar fitoi çmimin Nobel për teoritë e tij në ekonominë e sjelljes, paraqet një koncept të ri.

Nga Richard Thaler/ Përpara se të merret një vendim i rëndësishëm, si për shembull krijimi i një aktiviteti të ri, shkrimi i një libri apo bërja e një aleance, vendimmarrësve u kërkohet një gjë: Të përfytyrojnë sikur ndodhen në të ardhmen, në një moment kur projekti është implementuar dhe ka pasur një rezultat katastrofik. Më pas, të shkruajnë diçka të shkurtër mbi atë dështim.

Ishte psikologu Gary Klein që shpiku analizën premortem, për të cilën ka shkruar edhe Daniel Kahneman (Nobel në ekonomi, 2002). Sigurisht të gjithë njohim më shumë analizën postmortem, “pas vdekjes”, që zakonisht pason çdo katastrofë dhe shoqërohet me një sërë akuzash. Një lloj autopsie që pa dyshim vuan nga paragjykimet në retrospektivë, ku të gjithë kujtohen se dështimi ishte i pashmangshëm. Siç kam dëgjuar shpesh të thotë Amos Tversky: “Gjithçka mund të ketë qenë e shkruar ndër rreshta. Por, a mos ka qenë boja e padukshme?”

Dy janë arsyet se përse një analizë premortem mund të shmangë një katastrofë. Së pari, aplikimi i kësaj procedure mund të reduktojë tendencat e zakonshme të mendimit në grup duke mbajtur nën kontroll edhe besimin e tepruar në vetvete. Avokatët e djallit janë shumë antipatikë për këdo, prandaj analiza premortem ngacmon pikërisht ata persona që në kushte të tjera nuk do të nxirrnin fjalë nga goja. Në thelb, kjo metodë kërkon të zbulojë përpara implementimit të projektit arsyet që mund ta çojnë në dështim. Kush mund të kritikojë dikë që mendoi për një problem të mundshëm, i cili në kushte të tjera do të kalonte pa u vënë re ndikuar natyrshëm prej ekzaltimit që sjell një projekt i ri?

Arsyeja e dytë është pak më delikate. Duke u nisur nga mendimi se projekti ka dështuar dhe më pas të kërkosh të kuptosh se përse dështoi, krijon një iluzion qartësie, të paktën nga këndvështrimi hipotetik. Kërkimet laboratorike kanë provuar se pyetja “pse dështoi” dhe jo ajo “pse mund të dështojë”, çliron një pafundësi energjish kreative.

Një shembull mund të na ndihmojë për të kuptuar më mirë. Mendoni sikur disa vite më parë, administratori i një kompanie ajrore u kërkoi menaxherëve të tij të bënin një analizë premortem mbi këtë dështim hipotetik: “Në gjithë botën fluturimet tona u anuluan për dy ditë me radhë. Pse?” Mendja menjëherë të shkon të ndonjë sulm terrorist. Por jo, pasi progresi i rëndësishëm bëhet duke menduar në mënyrë më prozaike. Imagjinoni sikur dikush, me gjysmë zëri i detyruar të japë një përgjigje, thotë se sistemi i rezervimeve mund të jetë bllokuar dhe sistemi backup nuk u vu menjeherë në funksionim.

Kështu ndoshta do të shpëtohej nga katastrofa kjo kompani ajrore, e cila për dy ditë anuloi mbi dy mijë fluturime, ndërsa në ato momente pasagjerët nuk morën asnjë shpjegim se pse sistemi i prenotimeve ishte bllokuar. Cili ishte shkaku i katastrofës? Një mbingarkesë elektrike dogji njërin prej transformatorëve dhe disa pajisje të rrjetit nuk u aktivizuan në kohë. I gjithë kaosi u shkaktua vetëm e vetëm nga një siguresë!

Shumë kompani që një herë e një kohë ishin pjesë e përditshmërisë sonë, ndoshta do të ishin në aktivitet të plotë edhe sot e kësaj dite, nëse do të bënin një analizë premortem me pyetjen: “Ndodhemi tre vite në të ardhmen dhe jemi në prag të falimentimit. Si ndodhi?” E kush e di se sa luftëra nuk do të kishin nisur kurrë sikur dikush të pyeste përpara “Humbëm. Si ndodhi?”/ Richard Thaler është fituesi i çmimit Nobel në ekonomi për vitin 2017 dhe konsiderohet si babai i ekonomisë së sjelljes. Drejton qendrën kërkimore për proceset e vendimmarrjes në Universitetin e Çikagos. Libri i tij i fundit titullohet “Misbehaving: The Making of Behavioral Economics”. Artikulli u shqipërua nga Erjon Uka për “Blogu i rërës” në Tiranapost.al