Aktualitet

Të rinjtë në Shqipëri të mbikualifikuar për punët që bëjnë

Studimi i Komisionit Europian për punësimin dhe kualifikimin e të rinjve në Shqipëri ka arritur në konkluzionin se ka një mos përputhje shumë të madhe mes arsimimit dhe profilit të punësimit. Janë 53% e të diplomuarve që bëjnë një punë e cila ka kërkesa më të ulëta ose më të larta se niveli i kualifikimit. Kjo normë është shumë më e lartë se sa vendet e Bashkimit Europian. Plot 36% e të rinjve janë më të kualifikuar se sa puna që bëjnë, ndërsa 16% janë të pakualifikuar për pozicionin e punës që kanë.

Gjithashtu në raport theksohet se universitetet në Shqipëri diplomojnë më shumë studentë se sa janë nevojat e tregut të punës. Nga 100 studentë që hyjnë në auditor, vetëm 13 prej tyre do të gjejnë një punë që përputhet me profilin e studimeve. Shqipëria ka pasur një numër të madh universitetesh, por pas mbylljes së 17 IAL-ve private dhe shtetërore, raporti universitet-banorë është ulur në normën mesatare të Ballkanit Perëndimor.

Në raportin e KE-së jepen edhe propozime për tregun e punës, ku theksohet se punëdhënësit duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht me universitetet për të kombinuar profilet e studimit me nevojat e biznesit. Gjithashtu programet e sipërmarrjes duhen përshtatur për të ndihmuar të diplomuarit në nxitjen e shpirtit të sipërmarrjes me anë të pajisjeve dhe subvencioneve. Ndërkohë për qeverinë propozohet që duhet të mbështesë punëdhënësit, sidomos ata të Ndërrmarrjeve të Vogla e të Mesme që të punësojnë më shumë studentë./E.U, Tiranapost.al