Aktualitet

Të rinjtë dhe gratë vuajnë më shumë në rajon për një punë

Të rinjtë dhe gratë vuajnë më shumë në rajon

Dy forca inkurajuese, gratë dhe të rinjtë, janë më të paragjykuarat. Të dhënat dalin bazuar në tregun e punës të vendeve të rajonit nga Majlinda Bregu, sekretarja e përgjithshme RCC, gjatë lançimit të projektit për Punësimin dhe Çështjet Sociale, ESAP 2.

“Të rinjtë nën moshën 24 vjeç zunë vetëm 4.3% të vendeve të reja të punës.  Zakonisht kësaj grupmoshe i duhen deri në 2 vjet për të gjetur punën e tyre të parë. Po ashtu, 1 në 4 të rinj nuk janë as të punësuar, as pjesë e arsimit apo trajnimeve. Më shumë se gjysma e grave në moshë pune janë të papuna, 1 në 2 gra, pra jashtë tregut të punës, ndërsa tek meshkujt shifra është shumë më e ulët: vetëm 1 në 4 meshkuj nuk janë në tregun e punës”, tha Bregu.

Projekti ESAP 2 do të punojë për të përmirësuar politikat dhe masat për punësimin, duke mësuar nga homologët e tyre europianë me masa dhe politika që sjellin më shumë vende pune si në sasi dhe në cilësi, e në veçanti duke u përqendruar tek punësimi informal dhe kalimi i tij në formalitet.

Në konferencë morën pjesë ministrat e punës dhe të çështjeve sociale nga rajoni, krerë të shërbimeve të punësimit, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të fushës akademike, të cilët diskutuan situatën ekzistuese, tendencat e reja në lidhje me punësimin dhe zgjidhet e mundshme për punësimin dhe papunësinë në rajon./ Tiranapost.al