Aktualitet

“Do të ishte bukur sikur BE të ekzistonte”, Varoufakis propozon një pakt të ri për Europën

Për të përshkruar se çfarë mendon për Bashkimin Europian, Varoufakis ka përdorur një batutë të Mahatma Ghandit. “Do të ishte bukur nëse do të ekzistonte, nuk mendoni edhe ju kështu?”, thotë ai duke nënkuptuar se sot Bashkimi Europian i konceptuar gjysmë shekulli më parë nuk ekziston më.

“Europa është një kontinent ku numrat flasin për rimëkëmbje dhe prosperitet, ndërsa njerëzit vuajnë dhe kanë frikë për të ardhmen”. Kështu e nis intervistën e tij për gazetarin italian Daniele Chicca, Yanis Varoufakis, ish Ministri grek i Financave. “E vetmja mënyrë për ta shpëtuar një ekonomi sociale të prekur nga kriza është demokratizimi, por për fat të keq Bashkimi Europian e ka lënë popullin jashtë demokracisë”.

Për të përshkruar se çfarë mendon për Bashkimin Europian, Varoufakis ka përdorur një batutë të Mahatma Ghandit. “Do të ishte bukur nëse do të ekzistonte, nuk mendoni edhe ju kështu?”, thotë ai duke nënkuptuar se sot Bashkimi Europian i konceptuar gjysmë shekulli më parë nuk ekziston më.

Ekonomisti Vaurofakis pasi la detyrën e lartë në qeverinë greke ka formuar një lëvizje të re politike në Europë të quajtur DiEM25 (Democracy in Europe Movement) dhe synon të riformojë Europën e bashkuar. “Sistemet bankare kombëtare janë të pavarura, edhe pse nuk kemi banka qendrore që mund të shpëtojnë ato banka. Ekziston një bankë qendrore që nuk ka një shtet pas shpinës, kjo është komedia e gabimeve”, shprehet ai duke iu referuar Bankës Qendrore Europiane.

Për sa i përket Greqisë, Varoufakis thotë se ditë pas dite situata përkeqësohet dhe nuk mund të ndryshojë për sa kohë establishmenti politik mendon se mund të dalë nga kriza duke marrë më shumë borxh e duke e çuar borxhin publik në shifra rekord.

“Italia për shembull ka humbur 20 vite zhvillim. Zona euro ka krijuar një gjendje stanjacioni të vazhdueshëm për vendet tona. Jo vetëm në Greqi, Itali dhe Spanjë por edhe në Gjermani, e cila noton në para. 40% e popullsisë atje është më pak e pasur se 20 vite më parë dhe numri i punëtorëve të varfër është rritur. Kjo shpjegon edhe suksesin e partisë Alternative Fur Deutschland në zgjedhjet e fundit.”

Megjithëse lëvizja politike e Varoufakis është më kritikja ndaj Bashkimit Europian, ai është i vetëdijshëm se dalja nga ky union do të kishte pasoja të mëdha negative për popujt e vendeve europiane. Ai propozon që problemet e Europës mund të riparohen duke e rithemeluar dhe duke e demokratizuar. Si? Duke rishpërndarë humbjet dhe fitimet gjatë një krize, e cila është krizë për të gjithë. Duke përfshirë popullin në vendimmarrje, i cili është lënë jashtë gjatë gjithë kësaj kohe. DiEM25 propozon një pakt të ri për Europën, që përfshin në tërësi një program ekonomik dhe social që mund të implementohet në çdo vend europian.

Vetë Varoufakis pranon se skenari mund të jetë megaloman dhe utopik, ama ajo që po jetojmë është krejtësisht distopike. “Nëse më pyesni a preferoj distopinë apo utopinë, preferoj gjithmonë një utopi sa më të gjatë”, përmbyll intervistën ai./Tiranapost.al

Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]