Politikë

Të hënën konstituohet Këshilli i ri i Bashkisë Shkodër, PD lajmëron të bëhet protestë

Të hënën konstituohet Këshilli i ri i Bashkisë

Kundër konsituimit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, PD ka vendosur që të mbajë një protestë më 19 gusht. Në njoftimin nga PD në Shkodër thuhet se protesta do të mbahet para Rektoratit të Universitetit, në vendin ku është parashikuar që të mbahet edhe ceremonia për konstituimin e këshillit.

"Ditën e hënë datë 19 gusht në orën 10:00 përpara Rektoratit të Universitetit Luigj Gurakuqi  Salla ku do të zhvillohet mbledhja e jashtëligjshme e Këshillit Bashkiak) do të zhvillojmë një protestë masive për të mos lejuar kapjen e qytetit. Ju ftojmë të na bashkoheni, Shkodra ka nevoje për ne",  thuhet në njoftimin e PD Shkodër.

Kujtojmë se kryebashkiaku i zgjedhur më 30 qershori, Valdrin Pjetri, dha dorëheqjen pas akuzave të demokratëve për të kaluarën e tij, si person i arrestuar 17 vite më parë në Itali.

Ndërsa për datën e zgjedhjeve për kryebashkiakun e ri, Meta është shprehur:

“Nuk ka nevojë, zgjedhjet janë me 13 tetor për gjithë Shqipërinë, përfshirë edhe Shkodrën, këto janë të vetmet zgjedhje të ligjshme përpara. Deri në marrjen e detyrës nga kryetari i ri, detyrën e mban kryetari që është në detyrë”./ Tiranapost.al