• Shqip
  • English
  • E martë, 15 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • It's butter baby Të gjitha

    Të du ktu… se do të pëlqejë shumë


    Emri të ngjan i çuditshëm kur nis ta shqiptosh “tëduktu”… Aaaa po, domethënë ‘të dua këtu”.

    Le të futemi brenda për të parë pse na dashkan aty.

    Kur futesh e kupton pse-në: për të mirën tonë. Sepse është një vend ndryshe nga ata që mund të kesh parë nëpër Tiranë deri tani. Dhe nëse në ndonjë udhëtim jashtë Shqipërie ke menduar se përse nuk ka edhe tek ne të këtilla hapësira moderne, ku mund të hash një brunch në fundjavë, epo ja tani e gjete.

    “Të du ktu” është një sugjerim idesh dhe konceptesh të reja në kuzhinë, veshje dhe në aksesorë. Madje edhe mikpritësja, një vajzë e re që ka studiuar për arkitekturë në Itali, ndërsa të shpie drejt tryezës të zbukuruar me orkide të mëdha, të lë shijen e mirë të një vendi ndryshe nga të tjerët.

    Ushqimi kombinohet me një servirje, si asnjë lokal në Shqipëri. Setet e ngrënies janë unike, një herë ushqimi të vjen në pjatë, njëherë në tigan, një herë ne kanoçe. Ky është një nga ato vendet plot kreativitet, ku nuk gjen dy tavolina njësoj, madje ka nga ato tavolinat e gjata e të mëdha, ku mund të ulesh edhe me persona të tjerë, për ata që pëlqejnë këtë lloj socializimi.

    Është ndër të paktat vende ku mund të shijosh brunch të mirëfilltë (një vakt i ndërmjetëm, mëngjes i vonë, drekë e hershme, por me aq shumë ushqime e shije sa mund të rrish edhe pa darkë fare).

    “Të du ktu” ka nga të gjitha zgjedhjet, të ëmbla dhe të kripura, nga veza e thjeshtë e deri pjatat më tendencë me farat e linit, farat chia, mango, kivi, mjedër etj. Recetat shqiptare si ajo e byrekut, pispilisë, qofteve që na kanë shoqëruar jetë e mot të dielave, ndërthuren në brunch-in që në “Te du ktu”, nis në orën 12.00 dhe përfundon në orët e pasdites. Ditët e pushimit nuk kanë orare, ju mund te hani kur te doni dhe çfarë të doni, ndaj “Te du ktu” ka menduar për kombinime shijesh dhe kulturash.

    Pasi provon, pasta të ftohta, vezë të gatuara në të gjitha format, që nga më i thjeshti deri tek omletat me disa shije perimesh apo edhe veza benedikt, torta dhe lëngje të freskëta frutash, ujë detox, mund ta mbyllësh me kafen e zakonshme express. Ose me veçantinë tjetër, me të cilin lokali po bëhet i njohur: çajin matcha, antioksidantin fantastik, ilaçin për një trup dhe mendje të bukur, që këtu shërbehet me qumësht. Falë tij mund të çoheni nga tryeza pa brenga se ndoshta e keni tepruar, pasi efekti i tretjes tashmë ka filluar. Mund të blini e shijoni gjithashtu çajin “Kusmi” me ngjyrat dhe kombinimet e veta, bashkë me pjatat e servirjes, si edhe disa enë të veçanta. Dhe në fund të thuash: bëtë mirë që më donit këtu!/Tiranapost.al

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected]