Rajoni Te gjitha

Tani për tani nuk dimë ku i kemi kufijtë! Intervista e Vuçiç për Reuters ku kërkon edhe një garanci nga BE


“Ndonjëherë më vjen të qesh kur dëgjoj njerëzit teksa flasin për një zgjidhje të mosmarrëveshjes,. Disa njerëz thonë se marrëveshja do ishte kjo: Jap tre fshatra dhe marr gjashtë në kthim”, ka thënë Vuçiç në një intervistë dhënë për Reuters.

Nën vazhdën e diskutimeve të gjata, në Kosovë, Serbi, Shqipëri dhe më gjerë nëpër botë për marrëveshjen e Kosovës me Serbinë dhe çështjen e kufijve, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se çdo arritje marrëveshje me Kosovën fqinje duhet të përfshijë garanci nga BE për anëtarësimin e Serbisë në vitin 2025.

“Nëse do arrijmë ndonjëherë marrëveshje me Kosovën, Serbia duhet të marrë garanci, se do bëhet vend anëtar i BE-së në vitin 2025”, ka thënë Vuçiç në intervistën e dhënë dje për Reuters. Vuçiç tha për Reuters se ndoshta do duhen 10 vjet deri në arritjen e një marrëveshje përfundimtare dhe kjo për shkak të dallimeve mes dy palëve.

“Ndonjëherë më vjen të qesh kur dëgjoj njerëzit teksa flasin për një zgjidhje të mosmarrëveshjes,. Disa njerëz thonë se marrëveshja do ishte kjo: Jap tre fshatra dhe marr gjashtë në kthim”.

Vuçiç e kishte fjalën për disa sugjerime nga disa liderë për çështjen e kufijve, që Serbia të heqë dorë nga territorit me shumicë shqiptare në këmbim të territorit të Kosovës me popullsi më shumicë serbe. “Nëse do ketë ndonjëherë marrëveshje, duhet të jetë marrëveshje e përgjithshme, ku të përfshihen jo vetëm marrëdhëniet mes nesh dhe shqiptarëve në Kosovë, por edhe një rezolutë që garanton anëtarësimin tonë në BE”, tha Vuçiç e në fund shtoi: “Tani për tani nuk e dimë se ku janë kufijtë tanë”.

“Askush në rajon nuk duhet të ketë frikë nga asnjë marrëveshje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, rajoni do të jetë më stabil, më i fortë dhe ekonomikisht më tërheqës”, tha ai.

BE e ka bërë të qartë më parë se normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, është kushti kyç për të anëtarësuar të dy vendet në BE. Reuters kujton se Serbia humbi kontrollin ndaj Kosovës në vitin 1999, pasi NATO ndërhyri duke ndaluar kështu vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve nga forcat serbe. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe është njohur nga më shumë se 100 vende, por jo nga Serbia. Në vitin 2013, nga dy palët treguan angazhim për bisedime të ndërmjetësuara nga BE për të zgjidhur mosmarrëveshjet, por që atëherë është bërë shumë pak përparim.

Gjatë vizitës në Veri të Kosovës me 8 shtator, Vuçiç tha se do vazhdojë bisedimet me zyrtarët e Kosovës, por paralajmëroi se do jetë e vështirë për të arritur marrëveshjen,

“Unë do bëj më të mirën për arritjen e marrëveshjes, por është një rrugë e gjatë e mbushur me gjemba dhe probleme ,” tha Vuçiç. Megjithëse disa zyrtarë të BE dhe SHBA kanë thënë se mbështesin këmbimin e territoreve, Gjermania dhe shumë analistë kanë thënë se është një ide e keqe që mund të përtërijë armiqësitë e vjetra etnike në të gjithë Ballkanin.