Lajme nga Bota

Takimet e G7-ës, Trump kërkon rikthimin e Rusisë

Takimet e G7-ës, Trump kërkon rikthimin e Rusisë

Presidenti amerikan Donald Trump tha se dëshiron që Rusia të kthehet në takimet e Grupit të Shtatë vendeve më të industralizuara të botës, edhe pse ende kontrollon gadishullin e Krimesë. Moska u nxorr nga grupi G-7 për shkak të aneksimit të gadishullit të Krimesë në vitin 2014. Krimeja ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Ukrainës.

Ndërsa udhëheqësit e G-7-ës shkojnë në qytetin bregdetar francez të Biarritzit në Atlantik për takimin e tyre vjetor këtë fundjavë, Presidenti Trump tha se do të kishte kuptim që Presidenti rus Vladimir Putin të ishte përsëri pjesë e grupit.

"Është një votë për atë që tani është G7. Ata u nxorrën jashtë sepse Putini mori me mençuri Krimenë dhe shmangu vijat e kuqe për këtë çështje dhe për gjëra të tjera. Ia hodhi Obamës. Obama u irritua. E nxorrën jashtë lojës. Mendoj se Rusia duhet të jetë pjesë e grupit sepse ne jemi në kërkim të paqes botërore, tregtisë dhe gjërave të tjera. Dhe do të ishte shumë më e lehtë ta kishim Rusinë atje ku ka ka qenë gjithmonë".

Presidenti Trump dukej se nuk ishte i shqetësuar nga fakti që Rusia e konsideron Krimenë pjesë të territorit të saj; në vend të kësaj ai fajësoi ish-Presidentin Barack Obama për aneksimin e Krimesë nga Rusia.

Pjesë e grupit G-7 janë Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara. Nuk është e qartë nëse ndonjë nga vendet e tjera e mbështesin rithimin e Rusisë në G-7 për ta bërë atë përsëri G-8.

Takimi i shtatë vendeve më të industralizuara të botës do të zgjasë tre ditë duke filluar nga e shtuna. /Tiranapost.al/