Aktualitet

Tahiri përmend emra: Boll më me estradë! Nëse Saliu, Shkëlzeni dhe Iliri kanë prova, të vijnë përballë meje

Saimir Tahiri ka sfiduar hapur ish-Kryeministrin Sali Berisha, djalin e tij Shkëlzen Berisha, apo qoftë edhe Presidentin Ilir Meta, të cilin e ka pranuar publikisht se e ka armik politik, që të paraqiten dhe të dëshmojnë kundër tij nëse kanë qoftë edhe një provë të vetme.

Në dalje nga mbledhja e Këshillit të Mandateve, nga ku pritet të vendoset për lejimin ose jo të Prokurorisë për arrestimin e ish-Ministrit, Tahiri e cilësoi të sotmen si pjesën e dytë të një estrade edhe jo aq të paparalajmëruar.

Por siç theksoi ai, ka ardhur koha që të dalin në skenë prova, që implikojnë atë në trafikun e drogës, nëse ka të tilla.

"Ju të gjithë e patë se ç'lloj estrade ishte kjo. Akti i dytë. Nuk ishte edhe aq e paparalajmëruar. Nuk do dorëzohem dhe do i shkoj në fund rrugës për drejtësi. Në këtë rrugë do të ketë vështirësi pa fund, por unë nuk do të dorëzohem kurrë. Ajo që ju patë sot ishte në kufijtë e skandalozes. Edhe për të qeshur edhe për të qarë. Këtë nuk e kanë bërë as komunistët as fashistët.

Të të thonë shko në burg, pastaj na provo se nuk ke marrë 5 mln euro në muaj është estradë. Se nuk di ti japësh kamionit, kjo është estradë. Të kishin sjellë një provë të vetme, ose të sjellin dëshmitar Saliun. Ai s'ka shkuar kurrë në gjykatë për të zezat që i ka bërë vendit dhe nuk shkoi njëherë në Prokurori, apo djali i tij që la njerëz të vdekur në Gërdec.

Nëse nuk vijnë këta le të vijë Ilir, Meta apo Monika Kryemadhi. Le të vijë Lulzim Basha. Nëse këta nuk janë përballur me drejtësinë për hallet e tyre, le të vijnë të përballen me mua për hallet e mia. Unë jam i pari që do të bëj gjithcka të mundur që e vërteta të dalë në shesh. Çdo ditë të jetës sime. Nuk hezitoj as të përgjohem, as të kontrollohem.

Pa asnjë dyshim edhe në shtëpinë time le të vijnë e të kontrollojnë. Por unë dua dhe nuk e pranoj dot të më thonë futu në burg dhe pastaj shohim për prova. Unë pranoj çdo lloj hetimi, por jo një gjyq politik... Nuk merrem me se si Sali Berisha dhe i biri, Meta, Kryemadhi, Fatmir Mediu ja kanë hedhur Drejtësisë.

Unë nuk ju kërkoj shumë dhe nuk kam qëllim që të fsheh ndonjë gjë. Ju kërkoj vetëm durim. Bëni durim dhe hajde të presim bashkë që të zbardhet e vërteta.

Unë i sfidoj të vijnë dhe të përballen me mua, nëse është për thashethemet e dy kriminelëve, unë më mirë deklaroj përballjet me thashethemet që kanë thënë Luli, Saliu, Mediu e Kryemadhi sesa thashethemet e dy kriminelëve. E kam më kollaj që të përballem me thashethemet e kriminelëve në parlament." tha Tahiri për gazetarët, ndëkohë që simatizantët e tij brohorisnin./ E.D/ Copyright Tiranapost.al