Aktualitet

Tahiri pa hatërmbetje: Urime për detyrën miku im Fatmir

Nga një takim me strukturat e Partisë Socialiste në kryeqytet, Saimir Tahiri ka uruar zyrtarisht Fatmir Xhafën për detyrën e Ministrit të Brendshëm. “Dua t'i uroj suksese Fatmir Xhafës, kolegut tim për një kohë të gjatë në Komisionin e Ligjeve. Jam i sigurt Fatmiri do bëjë më të mirën në Ministrinë e Brendshme për të vazhduar gjithçka kemi nisur bashkë që ditën e parë të detyrës sonë.”, është shprehur Tahiri.

Pas largimit të Saimir Tahirit nga qeveria, në media qarkulluan zëra se ai kishte ikur hatërmbetur nga ky post. Por, aktiviteti i sotëm i Partisë Socialiste të Tiranës, ku Tahiri është kryetar, vërtetoi se ai ka nisur që tani nga puna për organizimin e PS-së në Tiranë për zgjedhjet e 18 qershorit. Në këtë takim u panë bashkë Saimir Tahiri, Krytari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe deputeti i parë i Tiranës, Pandeli Majko.

“Ka shumë nga ata që sot shqetësohen për çfarë ka ndodhur, apo për çfarë nuk ka ndodhur, më shumë sesa shqetësohen për cfarë është bërë e çfarë do të ndodhë në një të ardhme që nuk ka ardhur ende. Kam menduar këto ditë sa shumë vlen të jesh njeri i mirë para se të jesh zyrtar i mirë. Nuk gjej fjalë për t’ju falenderuar për mbështetjen. Sa më e madhe të jetë pengesa, aq më e madhe dëshira për të punuar për Shqipërinë. Ndjesë për gjithçka që nuk kam arritur të bëj, por të përballesh me problemet është më mirë se të fshihesh pas tyre”, ka thënë Saimir Tahiri./Tiranapost.al