Aktualitet

Superman-i dhe toçi

Superman-i dhe toçi

Nga Mira Kazhani/Dy ishin ngjarjet politike të diellditës së sotme. E para, Vangjush Dako na argëtoi të gjithëve me memet që prodhoi intervista e tij mbrëmë. Mbase u ngrys i stresuar dje, por pas Opinionit na la të gjithëve në një ndjesi humori shumëngjyrësh. Kjo falë toçllëkut (huazuar nga epiteti që Dako i vuri Bashës) politik të Lulzim Bashës.

Po të mos ishte toç politik dhe i rroftë diploma e mangët në njohuri ligjore, Luzim Basha do të fitonte realisht pikë nga fakti që Vangjush Dako është përgjuar në telefon me persona që janë sot më burg.

Ngjarja e dytë ishte Salianji, që na kujtoi sot për një tjetër betejë të harruar të Lulzim Bashës: atë të vettingut politik. Po të mos ishte për Salianjin sot, as nuk do ta mbanim mend se sa histori nis e s'bitis opozita. Si ajo e Xhisielës apo e Babales!

Po pse Vangjush Dako fitoi moralisht, sepse juridikisht as arritëm të kuptonim gjë mbrëmë, e as këto ditë?

Për parantezë, dua t'ju tregoj lexuesve të Tiranapost.al një histori me fushatë, ku veç njerëz me shpatë nuk pashë!

Në zgjedhjet lokale të 2009-ës kam ndjekur e raportuar nga terreni në Qarkun e Fierit votimet dhe numërimin e pafundmë, i cili nga tre, na mbajti plot tetë ditë atje.

Nga i gjithë dramaciteti i atyre zgjedhjeve, kujtoj raportimin e natës së fundit, me një bluzë me tre arusha, (sepse ishte e vetmja që kish mbetur në valixhe), të cilët përpiqesha t'i mbuloja me mikrofon, teksa dhashë komentin e fundit nga terreni për mandatin e 9-ë, për të cilin kutitë i hipëm në një kamion të KQZ-së sepse aty mori ferra uratën. Sigurisht, si pjesë e humorit të zi, kujtoj Fonin e Fiks Fare, që gjithë kohën e gjeja tek ndërronte ndonjë muhabet me policët që rrinin tek dera, jo se kishin në dorë të të mbronin, por Fonit psikologjikisht i dukej jeta më e sigurt. Në ato zgjedhje filmuam edhe personazhe që hynin e dilnin me armë në brez në qendra numërimi. Në atë kohë nga burgu morën leje jo pak nga të singjashmit që fliste Vangjush "akullorja" në telefon. Tre ditët e para nuk kuptova gjë dhe raportoja për Kol Ballën me të vetmin merak që të mos gaboja me llogaritë e proporcionalit, të cilit ia mora dorën si të isha një ekonomiste e mirëfilltë.

Me fillimin e rezultateve në rang kombëtar, nisi edhe politika e marrjes peng e numërimit si proces, sepse sa më shumë vonohej, aq më shumë dilnin rezultate finale dhe bëheshin llogaritë nga Tirana. Filluan e u shtuan presionet, aq sa një mëngjes, disa gra nga ato militantet, më ndaluan dhe unë nuk arrija të kuptoja pse më thoshin: Të merr nëna tek shtëpia ty, mos ki frikë, se s'të prekin qimen e flokut!

Ishim prej ditësh të pagjumë dhe me pak vonesë ua gjeta fillin fjalëve të grave: në qytet qe përhapur fjala se ishin nisur disa të fortë (njerëz pranë Berishës) për pak rrëmujë! Si përfundim nuk erdhi asnjë grup, ose të paktën nuk dalluam të tjerë, veç atyre që i dinim; i kishim filmuar bashkë me armën. Por zgjedhjet në Fier ishin një eksperiencë e madhe në gazetari, sepse nga aty dola e bindur se krimi ishte shok me fushatat shqiptare. Se Foni kish të drejtë që i ndoqi zgjedhjet duke bërë muhabet me policin tek hyrja dhe se as kamera, as mikrofoni nuk fitonte dot mbi fuqinë e të fortëve. Mikrofoni im maksimumi mbulonte tre arushët e bluzës së gjumit dhe raportoi me ndershmëri deri në ditën e fundit! Edhe pse nuk varej shumëçka nga një mikrofon i drejtpërdrejtë!

E gjithë kjo m'u ndërmend mbrëmë, ndërsa kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, shfryu kauzën e radhës së Lulzim Bashës. Ashtu, Dako, me njëmijë gafa të vogla, të rënda për një vend normal, siç ishte momenti i deklarimit të numrit të shtëpive dhe makinave më Ambasadën Amerikane apo edhe teoria që unë flas me këdo, e tregoi këtë dhe çdo histori tjetër gjatë panelit, me një sinqeritet çarmatosës, duke mos lënë vend që të mendonim seriozisht për atë që thuhej. Se kur thua arrestojeni peshkun e madh, nuk e thua dot pse njihet fenomeni, por se njihen provat! Si Dako duhet arrestuar gjithë parlamenti (me aq sa del nga përgjimet gjermane). Po qe për legjenda, asnjëri s'e ka vendin aty, ose të paktën shumica, se për shembull Erjon Braçe nuk llogaritet tek kjo lista. Kur thua arrestojeni, duhet të kesh prova të forta dhe jo të llomotitësh në ajër e të përfundosh meme në rrjet dhe Shqipëria të shkrihet gazit me kundërshtarin tip gallatë në televizor. Lulzim Basha vetëm sa na dha mbrëmë një mundësi që të vinim buzën në gaz me tipin e kryebashkiakut, të mbusheshin memet sot në rrjet dhe shumica të qeshnin aq shumë me superman-in, duke na bërë të harrojmë pak shëmtinë e Babales, pacipësinë për Xhisielën, edhe pse na e rikujtoi pak sot Salianji. "M'ka çu baba me la gojën", siç thotë populli.

Sa për Dakon, i lau duart me shqiptarët, të paktën moralisht.

P.S. Të dy termat e titullit ia kam huazuar Vangjush Dakos. Ai dhe të ngjashmit e tij do të jenë superman-ë, për sa kohë nga ana tjetër ka një toç politik!

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]