Aktualitet

Studimi: Të rinjtë shqiptarë konsumojnë më shumë kanabis

Statusi familjar ndikonte në ekspozimin ndaj substancave narkotike. Fëmijët që i kishin prindërit e ndarë ose që jetonin me një njerk në shtëpi, kishin më shumë gjasa të binin pre e përdorimit të kanabisit.

Përdorimi i kanabisit në Shqipëri është rritur ndjeshëm në vitet e fundit, kryesisht në radhët e të rinjve. Në këtë konkluzion kanë dalë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, të cilët në raportin e fundit publikojnë të dhëna shqetësuese.

Plot 15.3% e adoleshentëve kanë provuar të paktën një lloj droge, ku më e përdorura është kanabisi. Në vend të dytë renditet kokaina, për të cilën janë 3.7% e nxënësve të klasave të nënta dhe të dhjeta që thanë se e kanë provuar të paktën një herë.

Krahasuar me vitin 2011, 21.2% e të rinjve të cilët mendojnë se është më e lehtë të sigurosh kanabis se sa në vitin 2011.

Gjithashtu, sipas raportit vihet re një lidhje e drejtë mes nivelit mësimor të nxënësve dhe përdorimit të substancave narkotike. Nga 197 klasa të nënta dhe të dhjeta që u morën në shqyrtim, nxënësit me mesatare 9 treguan një lidhje shumë të dobët me përdorimin e kanabisit, e thënë në përqindje 4,3%. E kundërta ndodh me nxënësit me mesatare 5, të cilët janë më shumë se pesë herë të predispozuar për të përdorur kanabis me 20,1%.

Gjithashtu, edhe statusi familjar ndikonte në ekspozimin ndaj substancave narkotike. Fëmijët që i kishin prindërit e ndarë ose që jetonin me një njerk në shtëpi, kishin më shumë gjasa të binin pre e përdorimit të drogërave./E.U, Tiranapost.al