• Shqip
  • English
  • E enjte, 22 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Kontribues Ta thotë doktoreshë Silva Të gjitha TIP top

    Stinë e re, krem i ri


    Dr. Silvana përshëndetje! A është e vërtetë që në pranverë lëkura ka nevojë për trajtime e pastrime ekstra? Kam lexuar gjithashtu se edhe linja e produkteve duhet të ndrysojë gjatë kësaj stine. Do t’ju isha shumë mirënjohëse nëse më këshilloni lidhur me këto dy pyetje. Faleminderit.

    Përgjigje nga Dr. Silvana Mishtaku

    Informacioni që ju keni është mëse i vërtetë. Gjaë stines së dimrit lëkura ekspozohet në kushte atmosferike të ashpra, temperatura të ulta dhe erë të fortë e të ftohtë. Gjithashtu, kalimi nga ambientet e jashtme në ato të brendshme e të ngrohta e irritojnë lëkurën duke dhënë shpesh skuqje e tharje të saj. Në këto kushte, aplikimi i kremit shërben si barrierë midis lëkurës dhe ambientit rrethues. Sa më e mirë të jetë kjo barrierë, aq më pak efekt stresues ka në lëkurë. Për këto arsye në dimër preferohen kremra me konsistencë të trashë e të plotë, që në gjuhën e dermokozmetikës konsiderohen struktura “ujë në vaj” (konsistencë e plotë dhe vajore). Por, duhet pasur parasysh që këto janë përgjithësime e vlejnë për lëkurat normale dhe ato të thata, të cilat thahen akoma më shumë gjatë dimrit. Për lëkurat e yndyrshme, akneike, apo dermatit seborreik, të cilat acarohen gjatë kësaj stine, kremrat duhet të merren pas këshillimit me mjekun dermatolog.

    Me ndryshimin e stinëve dhe rritjen e temperaturave, konsistenca e trashë e kremit mund ta irritojë lëkurën nën ndikimin edhe të djersitjes, pasi bllokon poret e lëkurës dhe nuk lejon frymëshkëmbimin në nivel qelizor. Për këtë arsye aplikimi i kremit me konsistenë të trashë bëhet i pakëndshëm dhe mund të ndodhi që ta yndyrosi e të japi një shkëlqim të bezdisshëm në fytyrë (aq më tepër nëse mbi kremin aplikoni krempudër e make up). Ndaj, gjatë pranverës e verës rekomandohet aplikimi i një kremi më të lehtë (fluid), që konsiderohet strukturë “vaj në ujë”, e cila përthithet më shpejt nga lëkura.

    Po kështu, përveç llojit të strukturës duhet të ndryshojë edhe përmbajtja e përbërësve aktivë të kremit; duhet të mos përdoren gjatë pranverës e verës ato që kanë në përmbajtje lëndë antirrudhë si retinoli apo lëndë me efekt “peeling” si acidi glikolik, laktik, acidet e frutave, pasi këto përbërës shtojnë ndjeshmërinë e lëkurës ndaj diellit dhe rriskun për të shfaqur njolla (hiperpigmentime). Sërish këtu bëjnë përjashtim lëkurat me probleme për të cilat mund të përdoren lëndë të tilla nën përshkrimin e dermatologut dhe përdorimin e kremit me filtra mbrojtës ndaj diellit.

    Përsa i përket trajtimeve dermoestetike, ato kanë një vlerë të veçantë në rigjenerimin më të shpejtë e të thellë të lëkurës, në disa kushte të saj janë e vetmja mënyrë për eleminimin e problematikave. Por duhet të tregoni kujdes e të zgjidhni specialistët përkatës, të cilët do të dinë të zgjedhin trajtimin në përshtatje me gjendjen e lëkurës tuaj dhe stinën në të cilën ndodhemi, për të evituar  efekte anësore e të papritura të pakëndshme/Tiranapost.al