• Shqip
  • English
  • E martë, 15 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Filma Të gjitha TIP top

    Split – A jeni gati për një film të mirë horror?


    Nga Darko/Në ditët e sotme nuk është e lehtë të gjesh një film të mirë horror. Hollivudi prodhon me tonelata çdo vit, por ky zhanër ose përsërit vetveten, pa sjellë ndonjë gjë të re, ose përfundon në patetizëm. E kam fjalën për ato filmat e tipit: 6 njerëz humbin në pyll, e pastaj vriten një e nga një dhe në fund zbulohet se vrasësi ishte njëri prej tyre.

    2

    Këto janë histori qesharake, të cilat bëni mirë të mos harxhoni kohën tuaj. Një film të mirë horror nuk e bëjnë të mirë as ca efekte speciale, të cilat sot kanë arritur në një nivel të atillë saqë është e vështirë të dallosh realen nga jorealja. Një film i mirë horror duhet të luajë me të pandërgjegjshmen, me imagjinatën tonë, me ndjenjën e frikës dhe me një fund befasues. E sigurisht, një aktrim të jashtëzakonshëm.

    Ndaj, këtë javë dua t’ju sugjeroj Split (2016), filmin e ri të regjisorit M. Night Shyamalan, njeriu që në vitin 1998 krijoi The Sixth Sense. Për shumë kritikë filmash, Split është ndoshta filmi më i mirë që nga viti ’98 i Shyamalan (bashkohem me këtë përfundim), i cili vitet e fundit ka xhiruar shumë nga ata filmat patetikë. Por, Split është i veçantë sepse performanca e shkëlqyer e James McAvoy, e bën të tillë, e shpie në një nivel tjetër horrori këtë film.

    3

    Fillimisht e njohim McAvoy-n në rolin e Dennis, një burrë i fiksuar pas pastërtisë, që rrëmben tre vajza në një qendër tregtare dhe i burgos ato në një labirint nëntokësor. Pas disa orësh ai i viziton vajzat në rolin e Patricias, një guvernante angleze. Pastaj, shndërrohet në Hedëig, një djalosh nëntë vjeçar thuthuq, i cili u tregon atyre për “Bishën” e uritur për njerëz. Në fakt, personazhi kryesor quhet Kevin, një djalë i ri që vuan nga një çrregullim i rrallë e i pazakontë personaliteti: ai ka 23 identitete të ndryshme, të cilët dalin në sipërfaqe në situata të ndryshme. Viktimat e traumatizuara të Kevin-it nuk dinë ç’të bëjnë e si të veprojnë, sepse ai shndërrohet vazhdimisht
    në diçka tjetër.

    4

    Ok, deri këtu filmi duket shumë konfuz (qëllimisht). Skenari është i paparashikueshëm, një element i domosdoshëm për një film horror. Kjo është aftësia e regjisorit Shyamalan, i cili në filmat e tij, përpara se të shpjegojë, ngatërron deri në atë pikë saqë ti pyet gjithmonë veten: Po tani ku do dalë? Po a s’është i paparashikueshëm një i sëmurë mendor me 23 personalitete? Kush mund ta dijë se ç’do të pjellë mendja e tij e krisur?

    Split është një film shumë i mirë horror, i cili nuk do të ishte i tillë pa James McAvoy; Shyamalan ka goditur në shenjë duke i dhënë atij rolin kryesor. Një rol, të cilin McAvoy ka arritur ta çojë në një nivel tjetër me interpretimet e tij herë si një vrasës të ftohtë serial si Dennis.

    Një 9 vjeçar thuthuq e pak i mangët si Hedwig, një stilist homoseksual si Barry apo një guvernante mizore si Patricia. Është po aq madhështor në interpretimin e të gjithë këtyre personazheve, edhe kur ata shfaqen thuajse njëkohësisht brenda tij, ose ndërrojnë vendet me njëri-tjetrin, si një përzierje e natyrshme karakteresh e një njeriu të vetëm. Po të ishte sezoni i Oscar-ëve, McAvoy do ta meritonte statujën për aktorin më të mirë protagonist. Po tani ku do dalë? Sigurisht, nëse keni parë filmat e vjetër të M. Night Shyamalan-it, fundi i Split është për ju. Një detaj i fshehur, do t’ju lërë një shije të mire.

    Viti: 2016
    Regjia: M. Night Shyamalan
    Gjinia: Horror
    Koha: 117 minuta
    Aktorët: James McAvoy, Anya Taylor-Joy, Betty Buckley
    Vlerësimi: 8/10

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690