Aktualitet

Spitalet dukeshin si stacione treni/Rama prezanton buxhetin për shëndetësinë dhe premton ndryshime

Spitalet dukeshin si stacione treni/Rama prezanton buxhetin për

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot buxhetin për shëndetësinë duke thënë se ky buxhet është 43% më i lartë se ai i 5 viteve më parë. Gjatë fjalës së tij Rama tha se ndryshimi me qeverisjen e kaluar është si nata me ditën.

“Krahasimi me pikënisjen është si dita me natën. Sot, kur hyn në spital, je në spital. Deri dje, shumë pjesë të spitalit dukeshin si stacion treni. Është një ndryshim fizik i rëndësishëm, ashtu sikundër që brenda strukturës ka plot ndryshime të tjera”, tha Rama.

Rama premtoi më tej se do të ketë edhe rritje të buxhetit për rimbursimin e barnave dhe investimeve nëpër spitalet e vendit.

“Kemi kaluar në 100 milionë dollarë barna të rimbursueshme, ndërsa për vitin 2019 do rimbursojmë 104 milionë barna. Pesë vite më parë ishte thuaje 30 milionë dollarë më pak”, u shpreh ai, duke shtuar se do të investohet konkretisht brenda këtij viti në 80 qendra spitalore dhe në 100 të tjera në vitin e ardhshëm.

"Janë në plan 5 maternitete të reja si ai i Sarandës, që është një model kuptimplotë i shëndetësisë që duam. Do financohet në Berat e Korçë me buxhetin e këtij viti e më pas në Lezhë, Mat dhe Kukës”, vijoi Rama.