Opinion Te gjitha

Spektakël politik me përmbytjet, sepse të gjithë janë fajtorë para njerëzve


Prandaj për të justifikuar gjithë këtë dëm, është i nevojshëm spektakli. Për t’u justifikuar, për të thënë edhe “ne jemi me ju, njësoj si ju”, për të dhënë iluzionin se kjo është fatkeqësi e nuk ka çfarë t’i bëhet. Por jo, nuk është fatkeqësi, është çmenduri.

Nga Erjon Uka/ Shqipëria nuk goditet as nga tajfunet, as nga cunamet dhe aq më tepër nga uraganet. Por, përmbytet nga shiu. Mjaftojnë disa reshje të dendura për të treguar se sa vurnerabël jemi ndaj natyrës dhe sa pak rëndësi i kushtojmë zgjidhjes së këtij problemi që po na gjunjëzon periodikisht çdo dy vjet.

Por ajo që habiti kësaj radhe ishte përkushtimi i politikës për të marrë kapital nga kjo fatkeqësi. Në profilet e Facebook-ut të ministrave, deputetëve, kryetarëve të bashkisë dhe sigurisht të kryeministrit ngarkohen vazhdimisht foto, video dhe statuse në lidhje me situatën e përmbytjeve. Në redaksitë e mediave telefoni nuk pushon nga njoftimet e zyrave të shtypit të partive për të treguar se filani kishte qenë me banorët e atij qyteti apo fisteku kish veshur çizmet gjer në gju për të ngushëlluar banorët e këtij fshati.

Fillimisht ishte qeveria që e nisi lojën e mediatizimit, duke nxjerrë në terren deputetë e ministra por duke mos harruar që t’i çonte nga mbrapa edhe një kameraman apo fotograf. Deri diku ishte një lëvizje që pritej, sepse marrëdhëniet me publikun janë pika e fortë e saj.

Nga ana tjetër u duk se Lulzim Basha do qëndronte në qetësi, por pas disa titujve ngacmues nëpër portale që e akuzonin sërish për gjumë letargjik, edhe ai veshi çizmet për t’ia filluar inspektimitnë terren. Shumë shpejt edhe deputetët e LSI-së ndoqën të njëjtën rrugë dhe përfundimi ishte se në shumë qarqe bashkoheshin socialistë, LSI-stë dhe demokratë, kush e kush të merrte më shpejt informacion nga trupat e emergjencave civile apo për t’i rrahur shpatullat atyre që vërtetë ndeshen prej katër ditësh me natyrën.

Por pse gjithë ky mediatizim me një fatkeqësi natyrore, kur mund të mjaftonte një koordinim efikas në heshtje dhe njoftime periodike nëpërmjet zyrave të shtypit? Për një arsye shumë të thjeshtë: Sepse të gjithë janë fajtorë para njerëzve. Qeveria është fajtore që në tre vite e njëjta situatë përsëritet në mënyrë identike.

Nga ana tjetër në faj janë edhe dy partitë opozitare, sepse në dymbëdhjetë vitet e fundit secila ka qëndruar nga tetë vite në pushtet, duke mos bërë asgjë konkrete për shmangien e këtyre katastrofave.

Sepse pas përmbytjeve nuk qëndrojnë vetëm statistika, por janë histori njerëzore, është mundi dhe djersa e çdo fshatari që ka tentuar të sigurojë jetesën me atë ç’ka natyra i ofron, është mundi i çdo qytetari për të ndërtuar një shtëpi (qoftë edhe në breg të lumit, por gjithmonë ka pasur bekimin e shtetit) e në fund, por jo më e rëndësishmja, pas përmbytjeve qëndrojnë dhjetëra biznese që i japin frymë ekonomisë dhe për të cilat qeveritë nuk garantojnë dot as sigurinë minimale, në aksin Tiranë-Durrës!

Prandaj për të justifikuar gjithë këtë dëm, është i nevojshëm spektakli. Për t’u justifikuar, për të thënë edhe “ne jemi me ju, njësoj si ju”, për të dhënë iluzionin se kjo është fatkeqësi e nuk ka çfarë t’i bëhet. Por jo, nuk është fatkeqësi, është çmenduri. Ekziston një përkufizim për çmendurinë, që përmblidhet në fjalinë “të bësh gjithmonë të njëjtën gjë, duke pritur rezultate të ndryshme”. Dhe kjo është plotësisht e vërtetë për qeveritë shqiptare, që në çerek shekulli kanë marrë gjithnjë të njëjtin plan mediokër masash, duke pritur që Shqipëria të mos përmbytet më./Tiranapost.al

Komento:

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *