• Shqip
  • English
  • E martë, 16 Korrik 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Opinion Të gjitha

    Sot kishim një “funeral” të vogël në Tiranapost


    bbc486b0-7542-4d2e-aaa8-4e3a57922a3c

    Mira Kazhani/ Këtë lajm, sot, herët në mëngjes, vendosa ta hedh në plehra. “Screenshot”-i është nxjerrë nga koshi. Ka edhe bota online banjë!

    Politikisht lajmi u zbulua se ishte korrekt. Erjoni ka zbardhur fije për pe rrëfimin e zonjës Duma, e ftuar tek Rudina Xhunga, ditën e hënë, në “Vizion Plus”. Një rrëfim, ku tregonte një bisedë mes saj dhe shefes së OSBE-së. Sidomos gazetarët e dinë që transkripti nuk është diçka aq mekanike sa duket. Nga e folura në letër dhe tani sidomos online, fjalët marrin kuptime dhe krijojnë hapësirë për keqkuptime sa të duash. Kujt nuk i ka ndodhur të mos ketë të paktën një keqkuptim me tekst në telefon, email-e apo inbox gjithfarë? Toni, mimikat, gjestet dhe konteksti janë të rëndësishëm dhe për diçka të tillë politikanët profesionistë, analistët dhe personazhet publikë i dinë mirë ca hile. Mbrëmë, zonja Duma ka bërë një lapsus, që të paktën tre tipe gazetarësh nuk do ta falnin.

    Në vend që të përdorte fjalën “mjet” ka përdorur fjalën “vegël”, teksa ka rrëfyer një bisedë private mes saj dhe shefes së OSBE-së. Afërmendsh shefja e OSBE-së mund të ketë thënë në anglisht fjalën “tools”. Me shumë gjasë ajo ka dashur t’i thotë zonjës Duma nëse i është dashur të përballet me çdo mjet përpara sulmeve si grua në karrierë, etj. si këto…

    Grida është e lexuar dhe e përgatitur, por disa mendojnë që kjo edhe e dëmton. Në pikëpamjen time modeste, ndonjëherë se si tregon dhe rrëfen. Le të themi pak komplikueshëm dhe me një gjuhë tepër të sofistikuar. Në rastin konkret ajo ka dashur të tregojë mbase thjesht, por ka qenë viktimë e një përkthimi të keq, kur ka përdorur fjalën “vegël”, që në zhargonin tonë përdoret në sferën e çështjeve erotike.

    Tani, në kushtet kur një politikane nxjerr nga goja atë fjali: “Mbaj mend, që shefja e OSBE/ODIHR kur erdhi në zgjedhjet në Durrës më tha e ke përdorur atë veglën e fortë që je grua dhe prandaj të godasin?”

    Një gazetar serioz do shkruante që politikania Grida Duma bëri një lapsus dhe do sqaronte se si ajo në një emision politik ra viktimë e një fjale të përkthyer gabim nga anglishtja në shqip. Edhe me shtojcën në fund se këto janë gjëra që ndodhin dhe mbase me ndonjë batutë për të qeshur.

    Një gazetar tendencioz do shkruante se Gridës i flet Frojdi.

    Një gazetar i ri do ta shkruante siç e dëgjoi, pa bërë asnjë analizë, as për mirë e as për keq. Ky i fundit është Erjoni, në redaksinë e tiranapost.al!

    Kur e pashë titullin, e pranoj, shqyeva sytë dhe thashë qenka çmendur Grida Duma. Komunikova me turnin e mëngjesit (sepse lajmi kish dalë natën vonë dhe e kisha humbur) dhe iu kërkova një audio, që të sigurohesha. Në pak minuta më shkruan edhe vetë zonja Duma, një mesazh lakonik këtë herë. E shqetësuar për atë titull dhe e besoj verbërisht që nuk e mbante mend të kish përdorur veglën si fjalë në studion e Rudinës. Kush punon në televizion e di që kjo ndodh.

    Një shembull personal nga koha ime e spikerimit: më kujtohet se ishte 5-vjetori i vdekjes së Gramoz Pashkos dhe duhet të njoftoja kronikën. Unë kam thënë 5-vjetori i vdekjes së Gramoz Ruçit pra!

    Mund të betohesha mbi Kuran që s’e kisha thënë ashtu dhe vetëm kur hapa arkivën e edicionit, disa orë më vonë, u binda. Kështu ndodhi sot me Gridën, për të cilën, nëse nuk do ta kishte thënë fiks ashtu, do kisha kërkuar ndjesë publikisht për një titull të shpikur, poshtërues dhe seksist. Edhe në këto kushte kam një formë ndjese, sepse titujt abuzues, titujt që shkatërrojnë jetë, karriera, dashuri, punë, vetëm për të marrë klikime, janë vrasje që duhen futur në ndëshkim si ato vrasjet fizike. Tek e fundit, të prishin ditën dhe a ja vlen jeta e çdokujt, e mikut dhe armikut, të dëmtohet padrejtësisht se diku matanë është njëri që jeton vetëm për një klik? Titujt e shëmtuar dhe të pavërtetë nuk janë gazetari dhe po i hanë mëlçinë asaj, si alkool i tepërt në trup!

    Në pak minuta e besova variantin se Erjoni na kish vënë njollën e parë si një portal halabakësh. Telefonova pa fund në redaksi gjatë gjithë rrugës për atje dhe nuk pushoja së ankuari për atë titull të poshtër. Pas audios u çlirova dhe tani fajin e ka Grida, por unë dua ta ndajmë së bashku; mes lapsusit të Gridës dhe sinqeritetit profesional të Erjonit të Tiranapost.

    Nëse po pyesni veten: po ti si editore dhe me disa vite punë, cilin nga ato 3 lajmet do kishe bërë? Pa dyshim lajmin se Grida Duma e pëson nga anglishtja ose “Ja lapsusi i deputetes së PD-së, Duma”. Në asnjë rast në titull nuk do kisha vendosur kurrë fjalën “vegël”. Është poshtërues dhe i denjë për halabakë. Lajmin e veglës e kemi varrosur pa nderime. Ndërkaq, Gridës i urojmë më shumë punë me anglishten! /Copyright Tiranapost.al