• Shqip
  • English
  • E shtunë, 24 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Të gjitha

    Soreca për Euronews: Ka ende edhe një mundësi për integrimin e Shqipërisë


    Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, theksoi sërish progresin e bërë në reformat e ndërmarra  për procesin e integrimit. Në një intervistë për “Euronews”, Soreca u shpreh se Shqipëria duhet të fokusohet në axhendën e reformave që të jetë gati më 15 tetori, ditën kur do të jepet vendimi. Ai e cilësoi reformën në drejtësi si ‘perlën e Shqipërisë’, ndërsa ndalet te reforma zgjedhore që është e rëndësishme të miratohet.

    Deklarata e Soreca-s:

    Vendimi në tetor është i rëndësishëm për vendin, por edhe për BE-në, pasi edhe besueshmëria e procesit të zgjerimit është në pikëpyetje. Vendet e interesuara si Shqipëria apo Maqedonia e Veriut kanë përmbushur detyrimet, por le të themi një progres i mjaftueshëm për hapjen e negociatave, jo për t’u bërë anëtar i BE-së. Ëinston Churchill thoshte se ‘ky është fundi i fillimit’, jo ‘fillimi i fundit’. Unë kam besoj se Bashkimi Europian duhet të mos ua presë shpresat që kanë shqiptarëve.

    Shqipëria duhet të fokusohet në axhendën e reformave, të mos humbasë asnjë moment, të jetë gati për 15 tetorin kur ministrat e BE-së të marrin vendimin. Raporti i majit i Komisionit Europian tregoi se është bërë një progres kuptimplotë në fusha të caktuara, i mjaftueshëm për hapjen e negociatave. Por procesi i reformave nuk ndal asnjëherë, duhet të vazhdojë. Dhe ka fusha ku institucionet shqiptare në tërësi duhet të vazhdojnë punën. Një shembull është lufta kundër korrupsionit që është një sfidë e përditshme, lufta kundër krimit të organizuar, trafikimi i drogave po ndërron lëkurën në Shqipëri dhe ka nevojë që të ushtrohet trysni te bandat kriminale dhe të mos bëhet diferencë mes drogave të lehta dhe atyre të forta. Pastaj është reforma elektorale.

    Është e qartë se zgjedhjet e fundit në qershor treguan sesa e rëndësishme është që elektoratit shqiptar t’i jepet një ligj thellësisht tjetër për çështjet elektorale që ata të mund ta shprehin plotësisht vullnetin e tyre. Reforma në drejtësi është ndoshta ‘perla e Shqipërisë’, jashtë rajonit, apo në botë. Është një moment kritik, ndaj të gjitha institucionet shqiptare duhet të mos e humbasin fokusin, duke marrë parasysh se Eurobarometri i fundit që u publikua nga Bashkimi Europian vetëm pak ditë më parë, vazhdon që ta vendosë Shqipërinë me një distancë tejet të largët në krye të rajonit me 91 për qind të popullsisë që dëshiron të bashkohet me familjen evropiane.

    *Një pjesë e intervistës u publikua pak ditë më parë, ndërsa mbrëmë u transmetua e plotë.