Politikë

Soreca i vë vulën: Mogherini nuk do të merret me krizën politike, vjen në Tiranë vetëm për samitin rajonal

Soreca i vë vulën: Mogherini nuk do të merret me krizën

Federica Mogherini nuk do të ndërmjetësojë për zgjidhjen e krizës në Shqipëri. Kështu deklaroi sot për mediat, ambasadori i BE, Luigi Soreca.

Zyrtarja e lartë e BE do të vizitojë Tiranën më 8 dhe 9 maj në kuadër të samitit “Brdo-Brijun”, ku do të jenë të pranishëm presidentët e Rajonit, një vizitë "për arsye rajonale".

“Përfaqësueja e lartë e BE, Federica Mogherini do të jetë në Tiranë për arsye rajonale ku do jenë të pranishëm presidentët e Rajonit. Ajo do të ketë takime dypalëshe më autoritetet më të larta të Shqipërisë. Misioni ka qenë i parashikuar dhe ndërmjetësimi nuk është në axhendë për momentin”, deklaroi Soreca.

Ambasadori i BE, Luigi Soreca tha se krizën duhet ta zgjidhin vetë shqiptarët dhe se ekziston një urë për dialog.

“Pra, janë partitë politike, qeveria, opozita që duhet të gjejnë atë urën që ekziston, në mënyrë që të tejkalojnë këtë ngërç, në të cilin gjendemi dhe që nga kjo të përfitojnë qytetarët e Shqipërisë, pra përfaqësimi i plotë i tyre në zgjedhje”, tha ambasadori i BE.

Vizita e Mogerinit po shihet nga Brukseli edhe si një mundësi tjetër, për t’i dhënë hov dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe këtë e konfirmon edhe deklarata e ambasadorit kur foli për “vizitë për arsye rajonale".

Samiti i Berlinit nuk finalizoi rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi, por 'varrosi' idenë e ndryshimit të kufijve. Takimi i Tiranës po shihet si "një Berlin i ndërmjetëm", ku do pasohet me takimin e Parisit në 1 korrik, ku do të ulen në tavolinë Kosova, Serbia, Franca dhe Gjermania./Copyright/Tiranapost/A.C