Aktualitet

Sondazhi, serbët mendojnë se Vuçiçi do ta njohë Pavarësinë e Kosovës

Sondazhi, serbët mendojnë se Vuçiçi do ta njohë

Mediat në Serbi vazhdojnë me sondazhe, përmes së cilave po hulumtojnë opinionin publik lidhur me çështjen e Kosovës dhe njohjen e Republikës së Kosovës nga Serbia.

Në sondazhin e realizuar nga portali i gazetës “Danas”, të Beogradit, 42 për qind e qytetarëve serbë besojnë se qeveria aktuale do ta njohë pavarësinë e Kosovës, kurse në të njëjtin sondazh në Twitter më shumë se 50 për qind e pjesëmarrësve e thonë të njëjtën gjë.

Në sondazhin me pyetjen “Si mendoni se do të zgjidhet çështja e Kosovës gjatë mandatit të qeverisë së tanishme?”, në faqen e internetit të gazetës ‘Danas’ kanë votuar 741 qytetarë.

Shumica e pjesëmarrësve në sondazh, ose 42 për qind prej tyre, besojnë se çështja e Kosovës do të zgjidhet me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. 38 për qind e tyre mendojnë se kjo çështje nuk do të zgjidhet gjatë qeverisë së tanishme, kurse 21 për qind e qytetarëve besojnë se do të ndodhë demarkacioni mes Serbisë dhe Kosovës.

Në të njëjtin sondazh të bërë në Twitter, ku votuan rreth 600 qytetarë, më shumë se 50 për qind mendojnë se Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ndërsa, 43 për qind prej tyre mendojnë se do të mbetet status quo lidhur me Kosovën dhe pas qeverisë së tanishme në Serbi, kurse vetëm gjashtë për qind mendojnë se do të ketë demarkacion.

Ndërsa, në sondazhin e kësaj gazete në Facebook “A jeni për demarkacion në mes të Serbisë dhe Kosovës?”, kanë votuar 3,600 qytetarë dhe prej tyre 68 për qind votuan kundër demarkacionit, kurse 32 për qind e kanë votuar në favor të kësaj ideje.

Shumë qytetarë e kanë komentuar anketën, duke dhënë mendime të ndryshme mbi këtë temë.

Disa, megjithatë, besojnë se gjëja më e rëndësishme është të vijë deri te pajtimi mes dy popujve, në mënyrë që të fillohet me zgjidhjen e ndonjë çështje tjetër. /Tiranapost.al/