Nën lupën e Stela Sallakut

Sokol Balla nën lupën e Stela Sallakut

Duke parë fotot e z. Balla në rrjetet sociale, po mendoja që nuk e njoh shumë mirë stilin e tij, sepse rrallë herë më ka qëlluar ta ndjek në televizor. Ndërsa po mblidhja informacionin e mjaftueshëm nga profili i tij zyrtar në rrjetet sociale, vura re mjaft guxim, siç i themi ne, në të veshur. Shumë rrallë, për të mos thënë fare, më ka qëlluar të shoh një mashkull me kostum burgundy dhe të mos qesh. Le t’u hedhim një sy më poshtë dhjetë veshjeve që kam zgjedhur për të analizuar.

Fillojmë nga pesë më të mirat.

1- Po e filloj me kostumin burgundy, meqë e përmenda më lart. Është shumë e thjeshtë të gabosh në zgjedhjen e tonalitetit të duhur, sepse kjo nuancë, edhe pse tendencë këtë sezon, është tejet e vështirë për t’u kombinuar. Ndaj dhe thuhet se si rrallë herë trendi këtë vjeshtë është “e kuqe nga koka tek këmbët”. Por z. Balla e ka përshtatur nuancën sipas tipareve natyrale, nuanca harmonizohet me grinë e flokëve. Duket që është bërë me porosi, sepse shpatullat janë kornizuar me tegelin ndarës të mëngës dhe supit. Kravata ka paksa nuancën e grisë me burgundy, aq sa për të bërë lidhjen mes dy tonaliteteve. Këmisha qëndron neutrale, duke amplifikuar nuancën e kostumit. Jam e lumtur që s’e ka thyer me të zezën, siç do bënin 97% e popullsisë.

2- Theksi këtë sezon është tek detajet më shumë sesa tek elementët bazë të veshjes, si kostumi, këmisha apo pulovra. Kravata dhe çorapet nuk duhet të jenë as “pop of color “ por as të sfumuara. Të kenë dy tre detaje të njëjta, sa për të bërë lidhjen mes tyre. Për të mos qenë gjithnjë i orientuar nga kostumet, thyerja mes dy elementëve të ndryshëm në nuanca por të afërt në stil, e bën veshjen të mos jetë cliche. Në rregullat e fashion design thuhet se bluja shkon vetëm me nuancat motra (bojëqiell, saks, navy etj.), por bëjnë përjashtim tonet neutrale si dhe përplasjet e ngjyrave të trendit të sezonit.

3- Kostumi i zi, siç e thamë dhe tek artikulli i javës së kaluar, është ideali për televizion. Dritat në studio amplifikojnë tiparet, sidomos kur kemi të zezë. Ideja e emisioneve “late night” më kujton uniformën me tiranda të Larry King, Seth Meyers ose David Letterman, të cilët pavarësisht trendeve orientoheshin nga një nuancë (zakonisht e errët) dhe të them të drejtën sado interesant të ishte i ftuari, nuk përcillnin asnjë notë stili apo mode. S’ka asgjë të keqë të kornizosh tiparet me trendin e fundit, jam e sigurt se do tërhiqnin një audiencë më të gjerë. Në rastin tonë është përdorur kostumi i errët por kravata e sjell në trendin e 2017-ës. Le të kemi parasysh detajin, i cili ia ndryshon totalisht pamjen kostumit, sado prerje “business” të jetë.

4- Në këtë foto duket sikur sapo ka ardhur nga Pitti Uomo, pasi ka parë dhe vizituar koleksionet e reja të sartorive. Plus që është brenda tendencave me ngjyrën, por ideja e kombinimit të një nuance të ftohtë dhe një të ngrohtë ka qenë kryefjala e këtij sezoni. Një nuancë bazë dhe një rrjedhëse (sekondare) harmonizojnë tiparet dhe njëra-tjetrën. Prerja e jakës i zgjat portretin dhe siluetën në tërësi.

5- Pikë të shtuara për gjatësinë e pantallonave, si dhe për këpucën e përdorur. Gjysmë atlete do thoja, por jam e kënaqur që s’ka zgjedhur oxfords. Do shumë guxim të evidentosh kaviljen dhe ta përshtasësh me pjesën tjetër të outfitit. Ka zgjedhur të eksperimentojë me prerjen dhe jo me nuance, duke bërë kështu harmonizimin mes tipareve natyrale dhe trendit.

Kalojmë tek look më pak të realizuar.

1- Para pak javësh përfundoi dhe java e modës në Paris, e cila vjen e fundit në radhë, por jo për nga rëndësia. Aty u evidentua ngjyra e kuqe por jo vetëm, ndër to ishte dhe e gjelbra. Pak e çuditshme të përqafohej tonaliteti që mori kritika, por me sa duket influencueset e modës nuk ishin dakord. S’mund të them se kjo nuancë duket po kaq bukur dhe tek meshkujt, sepse do një mjeshtëri në kombinim fillimisht, trup perfekt si dhe tipare brune te theksuara. Këto elemente nuk janë bërë bashkë në rastin tonë. Mund të kishte zgjedhur të përdorte vetem xhaketën e gjelbër, thyer me një tonalitet të errët.

2- Kostumi mashkullor me shkëlqim është ndër më problematikët, sidomos për ekran. Sepse varet se si duket nën dritat e prozhektorëve. Shpesh herë nuk e shpalos tamam nuancën e kostumit, duke e bërë të duket më i zbardhur, por ka dhe një detaj tjetër i cili duhet pasur parasysh. Të zgjeron dy tre masa, saqë rekomandohet të mos përdoret fare, as për evente. Kravata më duket interesante e marrë veçmas, por bashkë me pjesën tjetër të veshjes ka mangësi.

3- Pikët maksimale në këtë veshje i meritojnë këpucët gjysmë të dhëmbëzuara, décolleté, si dhe me tonalitetin unik të burgundy. Por këpucë të tilla duan të evidentohen dhe të jenë në fokus. Pra, pantallonat duhet të jenë minimaliste, si dhe deri tek kyçi. Plus shtojnë çorapet nëse janë me trashësi mesatare dhe me dizenjo. Kam vërejtje dhe për kravatën, e cila duhet zëvendësuar me papjon për këto këpucë.

4- Kostumi gri është tendencë këtë sezon, por i kombinuar me aksesorët e duhur jep maksimumin, kravata është më e shkurtër se sa duhet dhe i evidenton pak gjerësi në perimetrin e belit.

5- Ka disa detaje që syri i patrajnuar nuk i vë re, por duke qenë se unë merrem edhe me ndërtimin e veshjeve nga zero, më bie në sy gjatësia e mëngës së xhaketës dhe ajo e këmishës. Ka një disbalancë tek ky kostum, tek i cili evidentohet mansheti më shumë sesa xhaketa. Duhet korrigjuar, si dhe ngushtuar këmisha. Ora pastaj është shumë më e madhe sesa duhet për këtë look. E tregon të mbushur si dhe me kyçe të gjera.