Blogu i Rërës Te gjitha

Sistemi demokratik i jep pushtet njerëzve që nuk janë demokratikë, Tahar Ben Jelloun: Vetëm kultura mund ta shpëtojë botën


“E keqja është gjithmonë aktive, nuk bën kurrë pushim. Anomalia e demokracisë është që i lejon personave jo-demokratikë të marrin qeverisjen e vendeve. Të rinjtë duhet të njohin vlerat e demokracisë dhe të lirisë, por vetëm poezia dhe kultura mund ta shpëtojnë botën.”

Një djalë merr pjesë në një manifestim paqësor për të kërkuar lirinë dhe të drejtat në botën arabe. Por nga autoritetet vjen një reagim më i dhunshëm nga sa pritej: plumba, të arrestuar, të plagosur. Mendon se i është larguar kurthit, deri sa një ushtarak i shkon në derën e shtëpisë dhe i bën të ditur se policia e kërkon dhe do të ishte më mirë që të mos arratisej por të dorëzohej. Prej aty hapet një humnerë dhune, pagjumësie dhe urie, torture dhe ankthi që vjen nga mosdija se kur do të hapen dyert e burgut. Disa shokë të tij sëmuren, të tjerë vdesin ndërsa ai mendon se a mos ishte më mirë të heshtte për të mos shkatërruar ekzistencën. Është një histori e ambientuar në Siri apo në Egjipt, ajo që tregon Tahar Ben Jelloun në romanin e tij të tij “Ndëshkimi”. Një histori që një shije krejt të veçantë për shkrimtarin maroken: djali që 50 vjet më parë përfundoi në burg është vetë Ben Jelloun, studenti që doli në rrugë së bashku me shokët në Marokun e Mbretit Hassan II.

Përse e ndjetë nevojën për ta treguar këtë histori pikërisht tani?
E bëra për djemtë e sotëm marokenë. Vendi në të cilin jetojnë është më ndryshe nga ai që jam rritur unë, është më i lirë dhe pak më shumë demokratik, megjithëse jo aq sa duhet. Por asnjë nuk flet për vitet e plumbave të Hassan II, kur regjimi i brishtë kishte frikë nga çdo kundërshti dhe kërkesave tona u përgjigjej gjithmonë me armë. Doja që të rinjtë ta njihnin ndryshimin mes së djeshmes e së sotshmes: është një libër autobiografik, por edhe një libër historik për Marokun.

Dhe jo vetëm të Marokut, duhen lexuar kronikat e këtyre viteve: Amnesty International dhe organizatat e tjera dënojnë kushtet e tilla edhe në Siri, Egjipt, Libi…
Nuk ka ndryshuar shumë në botën arabe në këto 50 vite, e di shumë mirë. Liria dhe demokracia ishin në krizë qëkur isha i ri dhe fatkeqësisht janë akoma në krizë. Regjimet nuk i dëgjojnë të rinjtë e sotëm ashtu siç bënin më parë. Kam parasysh Egjiptin, një sistem ushtarak që ka frikë edhe nga kundërshtitë më të vogla paqësore. Në burgjet egjiptiane ndodhet një gjeneratë e plotë, një gjeneratë që dëshironte një vend ndryshe, një vend më të hapur. Ashtu siç ëndërroja unë me 90 djemtë që përfunduam në burg në vitin 1965 në Marok. Pastaj ka vende si Arabia Saudite ku princi Mohammed Bin Salman e ka çuar gjithë vendin në një luftë idiote dhe tragjike si ajo në Jemen dhe në të njëjtën kohë ka harruar njerëzit e tij. Në botën arabe, pas pranverës, ka ardhur një dimër i ndërlikuar, i gjatë dhe pa shpresë.

Shumë gjykim pesimist ky i juaji…
E di, e kuptoj dhe më vjen keq. Por nuk mund të them se jam shumë pesimist për të ardhmen e rajonit tim.

Me të vërtetë nuk shihni mundësinë e progresit? Rizgjimi i vitit 2011 ishte i rëndësishëm dhe shumë prej protagonistëve vazhdojë thonë se nuk ka mbaruar…
Nëse më pyesni, ndonjë sinjal edhe mund ta gjej. Ju them se në Marok ka një formë demokracie, qeveria e sotme e islamikëve të moderuar janë në pushtet sepse kanë fituar zgjedhjet. Për fat të keq, nuk kanë kompetenca dhe vendimet finale janë në dorë të mbretit. Por ka një shoqëri civile shumë të fortë dhe aktive. Në Tunizi ka një kushtetutë progresiste që është më e mira e botës arabe islamike, sepse jep barazi për burrat dhe gratë. Këto janë shpresat e mia, por janë minimale.

I gjithë ky pesimizëm vjen nga fakti se libri juaj duket kaq aktual për lexuesit e sotëm?
E keqja është gjithmonë aktive, nuk bën kurrë pushim. Diktatura politike është gjithmonë këtu. Të shtie frikën si 50 vite më parë dhe po, është e vërtetë, më jep të gjitha arsyet për të qenë pesimist. Edhe pse është vetë sistemi demokratik që i jep pushtet njerëzve që nuk janë demokratikë: kjo ka ndodhur edhe në Itali me Matteo Salvinin. Ministri i Brendshëm italian është zgjedhur në mënyrë demokratike, por filozofia e tij është kundër vlerave demokratike. Anomalia e demokracisë është që i lejon personave jo-demokratikë të marrin qeverisjen e vendit.

Çfarë do t’i thoshit sot atij djalit, që 50 vite më parë u fut në një prej burgjeve më thella të Marokut, i shoqëruar deri te dera nga vëllai i madh?
Të studiojë. Të rritet kulturalisht sepse kjo është mënyra e vetme për të ecur përpara. Vetëm poezia dhe kultura mund ta shpëtojnë botën. Të rinjtë duhet të njohin vlerat e demokracisë dhe të lirisë, vetëm kështu mund të çojnë përpara luftën për ëndrrat e atij djalit./Tahar Ben Jelloun është ndër shkrimtarët më të suksesshëm bashkëkohorë, që sot jeton në Paris. Veprat e tij i shkruan si në frëngjisht ashtu edhe në gjuhën marokene dhe disa herë ka qenë kandidat për Çmimin Nobel në letërsi. Intervista u përkthye nga Erjon Uka për “Blogu i rërës” në Tiranapost.al