Aktualitet

Sipas Bashës, sa e njohin demokracinë shqiptarët nuk e di Hahn

Basha lëshon thagmën e radhës. Jo vetëm që nuk tutet para Evropës por i jep Hahn edhe shokëve të tij një leksion për demokracinë.

Lulzim Basha i tregoi komisionerit për Zgjerim në BE se, çfarë është Evropa e vërtetë, sipas tij.  Nga e ashtuquajtura “çadra e lirisë”, kryedemokrati tha se nuk mund të ketë zgjedhje pa PD-në, megjithëse BE është bërë gati për të pranuar faktin se kjo parti politike nuk do marë pjesë në zgjedhje me dëshirën e vetë.

“Shumë mirë i dini ju, madje më mirë se ndonjë evropianë, shqiptarët evropianë. Beteja jonë është beteja e drejtë për Shqipërinë, për Evropën, për vlerat elementare pa të cilat nuk mund të ketë Evropë dhe Shqipëri. Teksa marshojmë të sigurt drejt BE, ndjejmë mbi supet tona peshën e sfidës dhe përgjegjësisë që na përball historia para realizimit të ëndrrës evropiane”, deklaroi Basha.

Letra drejtuar shqiptarëve e Komisionerit për Zgjerimin, Johannes Hahn duket sikur mbyll çdo shteg për negociatë mes palëve, legjitimon 18 qershorin si ditën e zgjedhjeve edhe pa opozitën dhe i kërkon asaj të mos pengojë shqiptarët që të votojnë. Letra është e shkurtër dhe fjalitë e Komisionerit janë të qarta dhe nuk lënë vend për hamendësime pas dështimit të negociatave të fundit.

Sipas Bashës, 13 maji ditë kur proteston PD-ja, do të vendoset fati i të ashtuquajturës “Republika e Re”.

“Protestë që nuk është vetëm protestë, manifestim që do të hyjnë në histori si referendumi për Republikën e Re. Kësaj i trembet Republika e vjetër, nuk ka shtet të korruptuar t’i bëjë ballë dëshirës së qytetarëve për liri. Kukumjaçkat e Republikës së Vjetër nuk na trembin, nuk na ndalin dot nga kauza e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”. Ai siguroi se në këtë ditë nuk do ndodh asgjë, madje do të dilte në shesh me fëmijët dhe bashkëshorten.