• Shqip
  • English
  • E diel, 19 Maj 2019
  • Shqip
  • English
  • Lifestyle Showbiz Të gjitha TIP top

    Video/ Sikur të shihnim të gjithë çdo natë hënën e Danielit


    Danieli është një vogëlush 4 vjeç, me sindromën down. Marsi është muaji i tij dhe i gjithë vogëlushëve të tjerë, që ndryshe nga ne, kanë kromozom më shumë. Kjo që do t’ju ftojmë të shihni është një video që e ka postuar mami Blerina në instagramin e saj. Është Danieli që është shtrirë për të fjetur dhe para se të mbyllë syçkat e të shohë ëndrra të bukura, e përkund veten me videon e një hëne në një qiell me re.

    Një muzikë aq ndjellëse në sfond dhe ajo dora e vogël e Danielit që zhytet brenda në ekran janë më të bukura e më gjumëndjellëse se çdo profil vipi që shohim ne para gjumit. Se çdo thashethem që lexojmë para gjumit. Se çdo dietë, recetë, profil shoqeje, kushërire, ish-i, armikeje e fiksimi. E madje edhe më mirë se çdo faqe libri që lexojmë ne, që në shumë raste kemi guximin ta quajmë veten më normalë sesa Danieli dhe shokët e tij. Sikur të provojmë një natë të qetësojmë shpirtin e sytë me hënën e Danielit. Mbase do magjepsemi edhe ne aq shumë, sa do zgjasim dorën për ta prekur. E sigurt që do flinim të gjithë më të qetë. Si Danieli i vogël, aq i paqtë dhe i mençur.