• Shqip
  • English
  • E mërkurë, 19 Qershor 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Të gjitha

    Si u bë Luna senatore?! Një historizë që ia vlen të tregohet


    Luna është vajza e një mikeshës sime. Sot mami i Lunës më shkruajti se ajo për surprizë ishte zgjedhur me votim të fshehtë senatorja e klasës. Përbën lajm për disa arsye, që po jua tregoj.

    1- Luna, që është 12 vjeçe, nuk kishte asnjë shpresë, deri në mes të procesit. Ditën që ajo ofroi kandidaturën për t’u zgjedhur senatore, shoqja e bankës ishte e para që u ftoh me të.

    Luna u habit dhe iu tha prindërve se kujtonte se shokët e shoqet e klasës e donin të gjithë dhe se kurrë nuk kishte pasur ndonjë zënkë apo dyshim që ajo të përfundonte e braktisur vetëm se donte, bashkë me pesë të tjerë në klasë, të bëhej pjesë e garës.

    2-Gjyshja tironce e Lunës, kur pa trishtimin e garës, por edhe atë detyrën e senatorit që iu duk si biçim spiunlliku, i tha: Të keqen nona, s’ke punë ti me këto. Gara të mërzit dhe s’ke pse ti të bëhesh spiune e shokëve tek mësuesit.

    3-Mami i Lunës i mësoi të kundërtën:

    Luna, futu në garë. Punë e madhe se nuk do të fitosh. Mësohu me garën që sot, se në jetë do kesh vetëm garë. Me atë rast kupton edhe shokët e shoqet, por futu.

    Përveçse e bindi të bijën të futej në garë dhe ishte dëshmitare e lotëve pasditeve, pagjumësisë e etheve të një gare që po e përballte me shoqet dhe shokët, Luna vazhdoi sipas këshillës së mamit.

    4-Ditën e prezantimit të programeve ajo do mbante fjalimin më të veçantë nga pesë të tjerët.

    Ndërsa rivalët tregonin se do bënin shumë aktivitete, se do ishin ambiciozë për fitoren e klasës së tyre, etj., etj., Luna doli dhe në sy të mësues i tha klasës: Unë do jem zëri juaj, nuk do bëhem me mësuesit, por do jem vetëm me ju.

    Nga asnjë votë, ajo mori gjysmat e votave të klasës. Shoqja e bankës nuk e votoi prapëseprapë, por Luna u bë kandidate falë një fjalie: Unë jam me ju! Unë do t’ju pyes ju.

    Luna e praktikoi fjalimin çdo mbrëmje para pasqyrës dhe si një trumcak zgjohej çdo ditë në mëngjes me frikën se kjo garë nuk ishte për të. Ajo duhet të sillej, jo si vetja, por si qëllimi i saj dhe e bëri, me pak sforco.

    5-Sot, me votim të fshehtë, Luna jonë ishte zgjedhur senatore me shumicë votash.

    Klasa, nga asnjë, u bë shumica me të.

    Ja pra, pse ia vlen ta themi historinë e Lunës senatore. Ky brez që po rritet nuk ka nevojë për ambiciozë e oratorë. Ata duan atë që i pyet dhe që mbetet shërbëtor i klasës (popullit) së vet.

    Ky brez po rritet bashkë me ndjenjën e pavdekshme të “shoqeve të bankës”, rivalitetit, zilisë, inatit, oreksit… Të gjitha kanë qenë e do rrojnë përmes çdo gjenerate, por që ndoshta ky i riu do ta pranojë garën. Ne duhet të mësohemi me garat, me intrigat, me humbjen dhe fitoren.

    Është për t’u admiruar shkëlqimi i Lunës, që shkoi përtej vetes, kundër këshillave të gjyshes për të mos trazuar fëmijërinë me konkurse e gara, përballë shoqeve e shokëve, që nuk ishin më ata të parët. Mund të mos fitonte, të mërzitej edhe më shumë. Por ja që ndodh që mund të jesh edhe fitues. Pa hyrë në garë nuk ke si ta provosh.

    /*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]