Showbiz

Si t'i mbajmë fëmijët dhe adoleshentët larg videove porno?

Si t'i mbajmë fëmijët dhe adoleshentët larg videove

Psikologia Besarta Taçi e ftuar dje tek Rudina foli për varësinë e adoleshentëve ndaj videove porno dhe dha sugjerime për prindërit.

“Statistikat tregojnë që 9 meshkuj në 10 adoleshentë kanë parë të paktën një herë një video porno dhe 4 ose 5 vajza në 10 kanë parë të paktën një herë një video porno. Në 2019-n mosha e adoleshentëve që shikojnë video porno nuk është më 14-15-16 vjeç, por jemi përballë 9-vjeçarëve që shikojnë video porno. Kjo është e vërtetuar shkencërisht. Për shkak se kanë një smartphone dhe nëpërmjet grupeve komunikuese që kanë në social network adoleshentëve u ndodhë që të hapin një link pa e ditur fare që përmban një video porno. Ndërkohë përballen me imazhe që lënë një lloj traume, sepse truri i një 9-vjeçari nuk është i programuar që të perceptojë se çfarë fshihet mbrapa agresivitetit që shpeshherë shfaqet në këto video.

Shumë pak prindër e dinë se çfarë ndodh kur një fëmijë shikon një video porno. Truri në ato moment lëshon dopaminën, një substancë kimike që përfshin të gjithë kënaqësinë trupore dhe mendore të fëmijës. Dhe çfarë ndodh? Në atë moment truri nuk është i përgatitur për një substancë të tillë dhe mundohet ta luftojë. Sa më shumë mundohet ta luftojë, aq më shumë krijohet një lloj tolerance ndaj kësaj substance. Kështu që ndodh edhe ajo dëshira për të parë më shumë video dhe papritmas ky fëmijë krijon një varësi nga pornografia. Jeta e tij reale nuk jep të njëjtën kënaqësi që jep një video porno. Papritmas ndërveprimi me bashkëmoshatarët fillon dhe bie. Fëmija mbyllet në dhomë. Fillojnë problematikat në të ngrënë, në gjumë. Këto video shikohen gjatë natës. Fëmija bie nga mësimet. Prindërit i dallojnë këto shenja, por në momentin kur është shumë vonë. Varësia është krijuar tashmë. Varësia ndaj videove porno në adoleshncë është e njëjta me atë që krijohet nga heroina, vetëm se quhen varësi pa substanca.

Kur prindërit kërkojnë ndihmë, kemi përballë një fëmijë të varur dhe të traumatizuar dhe një prind që ndihet në faj.

Vetëbesimi i këtyre fëmijëve është i ulët, sepse jeta reale nuk është kështu. Madje problemet e ankthit, depresionit dhe ereksionit që ndodhin më vonë në jetë janë si pasojë e këtyre pornografive të para herët”, tha psikologia.

Pse prindërit duhet të bëjnë të pamundurën për të folur me fëmijët për këto tema?

Sepse mohimi i komunikimit sjell një rrezikshmëri përsa i përket identitetit të gjerë të individit. Adoleshenti bën pyetje edhe teksa ne jemi duke larë enët. Ndonjëherë ata tregojnë histori të shokëve që mbase janë historitë e tyre, ndaj nëse ne nuk komunikojmë, i tregojmë atyre, ose që s`jemi ende gati ose që ne s`dimë t`ia japim këtë informacion dhe ata do shkojnë diku tjetër për ta gjetur.

Çfarë mund t`i rrëfejmë fëmijëve në lidhje me këtë temë? (e pyeti Rudina më konkretisht)

Nuk është e nevojshme që të jemi ekspert. Mund të flasim edhe në nivel elementar. Komunikimi duhet të jetë i thjeshtë. Duhet të fillojmë që në moshën 7-vjeçare me djalin dhe vajzën për t`i treguar që trupi do ndryshojë. Jemi ne ata që duhet t`i tregojmë kufijtë me trupin e të tjerëve dhe trupin tonë. Kur i shpjegojmë rreziqet e një marrëdhënieje seksuale duhet t`i tregojmë edhe për sëmundjet që transmetohen. Edhe nëse na bëhet një pyetje që nuk e dimë, atëherë mund të jemi të sinqertë duke i thënë: Nuk e di këtë, por do lexoj, do gjej informacionin e duhur dhe do të të kthej një përgjigje.

Adoleshenti kërkon përmes këtyre pyetjeve një konfirmim për faktin që po rritet dhe nëse nëna dhe babai e mohojnë këtë rritje atëherë krijojnë traumë të identitetit.

https://www.youtube.com/watch?v=sy6-qVHCAwc

*Ky post është realizuar nga Fabjola Hije referuar intervistës tek Rudina në Tv Klan