• Shqip
  • English
  • E diel, 20 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Lifestyle Ta thotë doktoreshë Silva Të gjitha TIP top

    Si të shpëtoj nga morthi i përvitshëm i duarve dhe këmbëve?


    “Jam vuajtëse e rregullt nga morthi i dimrit. Madje sapo ftohet koha problemi nis të më shfaqet në duar dhe sidomos në këmbë. Dua që këtë vit të mos e kem më këtë problem, nxirje, enjtje dhe pastaj bezdi e madhe tek gishtat. Si mund të parandalohet ky problem? Dhe a ka ndonjë trajtim mjekësor që e shëron? Se unë deri tani i kam futur këmbët vetëm në ujë më krip, por atë ndjesinë e nxehjes që duket sikur më ziejnë nuk e duroj dot”.

    Morthi (pernio) është gjendje inflamatore (acarim) i lëkurës që shfaqet rreth 12-24 orë pas ekspozimit në të ftohtë dhe lagështi me njolla të kuqe-vjollcë që shoqërohen me ënjtje, kruajtje e dhimbje. Këto simptoma zgjasin rreth 1-3 javë, mund të zhduken vetë por nëqoftëse persistojnë kanë nevojë për kujdes të veçantë pasi rrezikohet erozioni dhe ulceracioni i lëkurës e më pas mbivendosja e infeksioneve. Zonat që preken janë kryesisht ato pjesë të lëkurës ku qarkullimi i gjakut është më i pakët dhe që ekspozohen më shpesh ndaj faktorëve ambientale si veshët, maja e hundës, gishtat e duarve e të këmbëve, gjunjët, etj.

    Ky mbireagim  ndaj të ftohtit dhe lagështisë mund të mos ketë një shkak të brendshëm ose të jetë pasojë e sëmundjeve të gjakut , yndyrnave, proteinave etj.

    Para një shqetësimi të tillë ju duhet të konsultoheni nga afër fillimisht me mjekun dermatolog për të përcaktuar ose përjashtuar sëmundjet shoqëruese, për të trajtuar sipas paraqitjes së lëkurës me kortizonikë, vazodilatatorë sistemike ose lokalë (barna që përmirësojnë qarkullimin e gjakut) apo antibiotikë ; si dhe për t’u këshilluar për parandalimin e një fenomeni të tillë.

    Duke qënë se baza e patologjisë është vuajtja e lëkurës nga ngushtimi i enëve të gjakut pas ekspozimit në temperatura të ulëta, parandalimi kryesor bëhet duke e mbajtur të ngrohtë lëkurën dhe të evitoni shkakun-ekspozimin në të ftohtë! Ju duhet të vini kapelë që mbulon veshët, doreza, shall, çorape të trasha dhe këpucë të përshtatshme (antiujë, me taban termik, etj) sa herë dilni dhe ekspozoheni në temperatura të ulëta e lagështi (borë, shi). Gjithashtu duhet të përdorni krem hidratues e zbutës me konsistencë më të plotë se në vjeshtë  për lëkurën e fytyrës, duarve para se të dilni nga shtëpia në ditë të tilla. Kremi përveçse e mban të butë dhe e ushqen lëkurën, shërben si barrierë fizike midis lëkurës dhe kushteve atmosferike të jashtme. Gjithashtu duhet të evitohen faktorët që pengojnë qarkullimin e gjakut si veshjet e ngushta, duhanpirja, etj.

    Dr.Silvana Mishtaku

    Mjeke Dermato-Venereologe

    Klinika VIVIA-Spitali Amerikan

    Email:[email protected]

    Instagram: silvanamishtaku

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected]