Aktualitet

Si të parandaloni fruthin? ISHP jep këshillat që duhen ndjekur patjetër

Si të parandaloni fruthin? ISHP jep këshillat që duhen ndjekur

Vaksinoni fëmijët dhe vetë për të parandaluar rrezikun nga fruthi. Ky është mesazhi që përcjell Instituti i Shëndetit Publik përmes një njoftimi zyrtar dhe një postimi në Facebook, teksa tregon se mbrojtja më e mirë për të parandaluar fruthin jo vetëm tek fëmijët, por edhe tek të rriturit është vaksinimi . ISHP jep informacion për virusin e rrezikshëm teksa tregon se fruthi shkaktohet nga një virus i cili është shumë ngjitës; infekton aparatin e frymëmarrjes dhe përhapet nëpërmjet spërklave nga hunda, goja ose nga fyti i personave të infektuar gjatë kollitjes, teshtitjes, si dhe nga kontakti i ngushtë personal ose kontakti i drejtpërdrejtë me sekrecionet e infektuara të hundës ose të fytit. Virusi mbetet aktiv dhe ngjitës në ajër ose në sipërfaqet e infektuara deri në 2 orë. Ai mund të transmetohet nga një person i infektuar 4 ditë para fillimit të shpërthimit të puçrrave si dhe deri në 4 ditë pas shpërthimit të tyre.

Si mund të parandalohet fruthi

?Vaksinimi kundër fruthit për fëmijët, sipas Kalendarit Bazë të Vaksinimit, është mbrojtja më e mirë për parandaluar fruthin si dhe për të ulur rastet e vdekjeve nga fruthi.

?Vaksina kundër fruthit është përdorur qysh në vitet 1960, dhe është e sigurt dhe efektive.

Në nivel global vdekjet nga fruthi janë zvogëluar mjaft vitet e fundit për shkak të aplikimit të vaksinës. 

Për të parandaluar fruthin, Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon vaksinimin e të gjithë fëmijëve si dhe të rriturve që janë në rrezik për t’u infektuar, për të cilët kryerja e vaksinës së fruthit nuk është e kundërindikuar.

Vaksina e fruthit aplikohet së bashku me vaksinën kundër rubeolës dhe shytave.

?Për të siguruar mbrojtje të sigurt dhe për të parandaluar shpërthimet rekomandohen të bëhen dy doza të vaksinës. Kjo sepse rreth 15% e fëmijëve të vaksinuar nuk fitojnë imunitet nga bërja vetëm e dozës së parë./ Artikulli i referohet njoftimeve nga ISHP. Realizuar për Tiranapost.al Elisa Bajrami.

Image may contain: text

Marrë nga ISHP