Showbiz

Si të mbash gripin larg!

Si të mbash gripin larg!

Po kërkoni për mënyrat më efektive sesi të mund të mbani gripin larg në sezonin e dimrit? Kur sistemi ynë imunitar dobësohet, dhe nuk arrijmë të vendosim “një mur” mbrojtës ndaj viruseve, atëherë duhet të ndjekim edhe disa hapa shtesë për të mos na prekur gripi.

Gripi është lehtësisht ngjitës, në ambientet e mbyllura, shkollë, punë, palestra, etj, për shkak se viruset e tipit A dhe B përhapen në ajër duke prekur rrugët e frymëmarrjes. Aktiviteti i gripit fillon zakonisht në muajin tetor, dhe arrin pikun në dhjetor. Ndërkohë virozat vijojnë deri në muajin shkurt, por disa herë edhe gjatë marsit, ç’ka shton nevojë për një kujdes të shtuar.

Referuar këshillave të ekspertëve, “medicalnewstoday” sqarojnë ngjashmërinë mes simptomave të gripit, dhe atyre të të ftohurit, por edhe ndryshimet që kanë në mënyrën sesi i përballon organizmi ynë.

Për shembull simptomat në rastet e të ftohurit shfaqen më ngadalë, dhe më të lehta krahasuar me gripin, i cili manifestohet me ashpër, me simptoma më intensive, të cilat nëse nuk trajtohen mund të rezultojnë në probleme të rënda shëndetësore siç janë pneumonia, apo infeksionet bakteriale.

Por duhet të pranojmë se disa njerëz janë më shumë të predispozuar nga gripi, ndërsa disa të tjerë na duket sikur janë plotësisht imunë ndaj tij. Në rast se ju jeni mes atyre personave që preken nga gripi, në vend që të mbylleni në shtëpi për të shmangur viruset, mjekët këshillojnë disa hapa të thjeshta të cilat minimizojnë rrezikun e prekjes nga gripi dhe rritin imunitetin.

Së pari, bëni vaksinën e gripit. Një vaksinë anti-grip në çdo sezon do t’ju ndihmojë që të jeni të mbrojtur nga gripi dhe virozat.

Së dyti praktikoni sjelljet që rritin higjienën personale. Edhe nëse jeni vaksinuar, sërish është shumë e rëndësishme që të ruhet një higjienë personale e vazhdueshme. Këshillohet që duart dhe fytyra të pastrohen shpesh. Sidomos pas keni rënë në kontakt me një person të prekur nga gripi. Edhe pse është e ditur, sërish përsëritet këshilla që një i sëmurë me grip të qëndrojë në shtëpi, në mënyrë që të mos rrezikojë edhe të tjerët. Duhet të mbulohet hunda dhe goja gjatë teshtimës, etj.

Besojini antiviralëve, është këshilla e tretë. Nëse simptomat e para të gripit kanë filluar të shfaqen, temperaturë e lehtë, dhimbje fyti, apo teshtima, atëherë mund të përdorni antiviralet, të cilët ju ndihmojë që të parandaloni avancimin e gripit.

Nëse antiviralët përdoren për 48 orë, atëherë rreziku për t’u prekur nga gripi do të reduktohet.

Ndërsa këshilla e katër, ajo që edhe kemi dëgjuar nga nënat dhe gjyshet tona, është që të konsumojmë perime dhe fruta. Në fakt, kur bëhet fjalë për të forcuar sistemin imunitar, atëherë asgjë nuk është më efektive se një dietë e pasur ushqimorë me fibra. Janë një sërë përbërësish ushqimorë të rëndësishëm, që forcojnë sistemin tonë imunitar, dhe na mbajnë të shëndetshëm. Dhe këto gjenden tek frutat e stinës, portokall, mandarina, limon, që kanë vitaminë C, kaq e vyer për forcimin e imunitetit.

Po kaq e rëndësishme është edhe vitamina D e cila luan një rol thelbësor në forcimin e imunitetit.

Ndërkaq, nuk duhet të harrojmë që gjatë kësaj periudhë të ushtrohemi, të ecim në ajër të pastër, të flemë 7-9 orë, të reduktojmë stresin. /Përshtatur nga “medicalnewstoday” për Tiranapost.al/