• Shqip
  • English
  • E diel, 15 Dhjetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Bëje me arkitekt Të gjitha

    Si të bëni tualetin ndryshe nga ai tradicionali


    Ingrid Martini, Arkitekte/Për çudinë time, në një postim që bëra në profilin tim në Instagram, ishin të shumta pyetjet dhe pikëpyetjet, në lidhje me një foto.

    Ishte fotoja e një nga punëve të mia, të 4 viteve më parë dhe më konkretisht, të njërit nga tualetet të apartamentit. Në të ishte një close up i faqes kryesore ku mbështetet lavamani, e cila në vend të mënyrës tradicionale të veshjes me pllaka, është veshur me letër murale. Po, pikërisht, me letër muri, aty ku del uji nga rubineti.

    Kjo ishte fotoja.

    Për shumë nga ne, ose më saktë mamatë tona, apo një brez para nesh, është e paimagjinueshme që një tualet të mos vishet fund e krye me pllaka, që të mund të pastrohet me themeli, me kova me ujë, e vrullshëm, biles. Dhe këtë përpiqem ta kuptoj, apo mirëkuptoj, pasi personalisht më duket e panevojshme. Më kuptoni drejt: pllakat apo trajtimet hidroizoluese, janë absolutisht të detyrueshme aty ku uji derdhet e ka kontakt direkt me sipërfaqen. E këtu, unë përfshij dyshemenë e zonën e kabinës së dushit. Ndërsa, pjesa tjetër nuk mendoj se ka nevojë të lahet si në lavazh edhe nga jashtë. Dmth WC-ja, bideja dhe lavamani, besoj se, nuk ka nevojë të lahet me kova apo me kokën fleksible të dushit.

    E për fatin tim të mirë, kam patur klientë që kanë ndarë të njëjtin qëndrim me mua, dhe që kanë pranuar me entuziazëm sugjerimet e mia jokonvencionale.

    Për shembull, tek e njëjti tualet, jo vetëm që nuk janë veshur me pllaka muret, por as dyshemeja, (sigurisht, përveç kabinës së dushit). Zgjodhëm të përdorim një parket teak, multistrat, i parapërgatitur.

    Po ashtu, edhe zona e dushit, u vesh me një pllakë e cila nuk ngjan si e tillë. Ajo ka pamjen e një mozaiku guralecash të veckël-të veckël të bardhe.

    Pikërisht, kështu.

    Mos më keqkuptoni e mos më shani, të gjithë ju që I keni veshur muret me pllaka deri në tavan. Unë nuk është se kam ndonjë antipati për pllakat, përkundrazi. Më pëlqejnë shumë. Por me mënyrën sesi vendosen, po.

    Personalisht e konsideroj të tepruar e një shpenzim të kotë, veshjen e mureve deri mbi derë. Në parim pjesa që bëhet tepër pis e që ka më nevojë për t’u pastruar, është maksimumi deri në kuotën 130cm. Pjesa  që ngelet sipër, mund të trajtohet thjeshtë me bojatisje, me letër muri, me bojë vaji (për ata që janë pak nostalgjikë, si unë).

    Po ju jap një shembull, të një pune tjetër timen:

    Këtu zgjodhëm të shtrojmë dyshemenë me një pllakë me motive bardhë e blu, të ndryshme nga njëra-tjetra, pasi edhe dimensioni i vogël i tualetit, na e lejonte, duke mos krijuar një “rrëmujë” në dysheme. Ndërsa muret, i veshëm me një pllake lisho ngjyrë blu. Gjithmonë deri në kuotën 120 cm, që ishte edhe dimensioni i mbivendosjes së 2 radhëve me pllaka nga 60 cm. E  theksoj këtë , pasi e mira është që pllaka të përfundojë e plotë e jo e prerë.

    Pastaj pjesën e mbetur sipër e trajtuam me vija bardhë e kaltër, që imiton nuancat e pllakës me motive. Është thjeshtë bojatisje, jo letër muri, por efektin shumë dekorativ. Aq më tepër e dekoruar edhe me korniza e pak art, të jep ndjesinë e një dhome, e jo të një tualeti të ftohtë.

    Ky trajtim përfshin, sigurisht, atë pjesë të tualetit përveç kabinës së dushit. Dmth, kabina duhet trajtuar e plotë, qoftë me pllaka, apo rezinë, microcemento, apo çfarëdolloj materiali i cili është i padepërtueshëm nga uji.

    Një shembull tjetër, i një pune tjetër timen, por i veshur i gjithi me pllakë.  Por gjithsesi, ndryshe. Edhe pse është trajtuar me pllake deri sipër. (sepse gjithsesi, i adhuroj pllakat)

    E mundohuni t’i trajtoni banjat tuaja, ashtu si dhomat e tjera të shtëpisë, me dashuri, e që të mund t’ju krijojnë ndjesi, t’ju thonë diçka, të jenë si ju, t’ju ngjajnë. Hahhhaa , jo,jo, nuk jam çmendur. Por është e vërtetë që një tualet, mund të të emocionoje. E për këtë kërkohet vëmendje, kërkim, lodhje, e shumë, shumë dashuri e ëndrra. E them me bindje pasi e kam provuar. Nëse i kushtoni kohë e vëmendje, produkti është gjithmonë i bukur. Nëse kërkohet detaji, e është i menduar, rezultati është gjithmonë special, larg të zakonshmes, larg të qenurit pjesë e klishesë.

    Ndaj sugjerimi im, me shumë këmbëngulje është: mos kërkoni pllaka super të shtrenjta e me formate gjigante, për të cilat duket se të gjithë po çmenden e po i adhurojnë, me gjithë çmimet qiellore me të cilat vijnë në treg. Në  vend të tyre kërkoni midis atyre të punuarave, mundësisht me dorë, me formate te vogla, të pikturuara, në forma katrore e hekzagonale, nga ato që nuk i do njeri. Rëndësi ka të jenë ndryshe, nga ajo që kërkojnë te gjithë, e të jenë afër shijes suaj, t’ju kënaqin sytë sa herë t’i shihni.

    E për t’ua ilustruar se përse e kam fjalën, shihni imazhet në vazhdim.Blogu – Bëje me Arkitekt/ Copyright Tiranapost.al

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post