Bukuri Lifestyle Modë Nën lupën e Stela Sallakut Personazh Te gjitha TIP top

As si partizane as si vajzë e mirë. Rajmonda Bulku është veshur më bukur kur luante gocën e keqe


Mund të ishte më e keqe se një spiune? Tek “Kërcënimi” Rajmonda Bulku pati fatin të luajë filmin ku i dhanë gardërobën më të bukur, atë të personazhit negativ. Që nuk kishte lidhje as me trikot e leshit të filmave me partizanë e as me fustanet e basmës të vajzës së mirë nëpër filma si “Zonja nga qyteti” apo “Duaje emrin tënd”. Në filmin “Kërcënimi” Rajmonda ishte vajza e një gruaje të huaj dhe prandaj veshjet e saj ishin prej “jashtetit”. Falë atij personazhi që s’duhej ta pëlqente askush por që e pëlqejnë të gjithë, ajo pati rast të vishte nga ato që quheshin veshje të ndaluara e të shijonte pamjen më moderne të viteve ’80. Flokët e shkurtra (por jo të shkurtra alla shqiptarçe si Klara tek filmi “Dhe vjen një ditë”) i jepnin pamjen e vajzës komplet “tip”, që aktores më të bukur të ekranit nuk ia jepnin flokët deri tek supet dhe me balluke të gjata.

(Foto nga Youtube. “Kërcënimi”)

U desh të luante të keqen që të vishte në sheshxhirim ato që ajo dhe shoqet e saj nuk mund t’i vishnin dot në jetë, veç nëse i kish marrë malli për ndonjë fletë rrufe: Kombinoshe xhins që kostumierët e Kinostudios ia kanë kombinuar këndshëm me një këmishë me lule, që në atë kohë mund ta shihje veç në ndonjë film italian, fshehurazi.

(Foto nga Youtube. “Kërcënimi”)

Nuk e di sa e lejuar ka qenë të dilje me monokini në filmat e viteve `80, por duket shumë guximtare. Momenti kur vendos syzet “aviator” ka qenë dhe pika kulminante e rolit, sepse merr pamjen e vajzës rebele.

(Foto nga Youtube. “Kërcënimi”)

Një nga veshjet e mia të preferuara të filmit “Kërcënimi” është dhe ajo hapëse. Fundet gjysmë verefi kombinoheshin me triko, këmisha ose bluza me vija. Ajo që i jep karakter veshjes është pikërisht çanta zarf më e madhe se sa normalja. Ka qenë një nga veshjet më të përdorura në street style në 2016-n.

(Foto nga Youtube. “Duaje emrin tënd”)

Nuk ka shumë veshje “fashion” nëpër filmat e tjerë, përveç kësaj pardesysë/pallto me jakë nga vitet `60-`70. Më pëlqen prerja voluminoze në pjesën e fundit, si dhe xhepat e strukturuar. Duket mjaft elegante si dhe me stil.

(Foto nga Youtube. “Kërcënimi”)

Sarafan dhe këmishë ka qenë një nga veshjet më trendi të kohës. Sidomos kur këpucët janë “mules” dhe qëndrimi është si ai i Jenny Walton kur pozon për Scott Scuman, pasarelash!/Tiranapost.al