Aktualitet Te gjitha

Si ndodhi përplasja mes RENEA-s dhe qytetarit në Divjakë?


Specialët e RENEA-s, dështuan në tentativën për të prangosur Laert Haxhiun, një personazh i njohur në botën e krimit, i dyshuar si autor i masakrës së 11 tetorit 2017, në qendër të Lushnjes, ku viktima mbetën Jurgen Hoxha e Zamir Lafiti, ndërsa atentatit i mbijetoi, Xhulio SHkurti, nipi i Aldo Bares. Në orët e para të mëngjesit, dhjetra forca speciale, zbarkuan në fshatin Remas të Lushnjës në kuadër të një aksioni blic, për kapjen e Haxhiut dhe Orges Bilbilit, pasi kishin sinjalizime se fshiheshin në shtëpinë e Haxhi Likës, 77 vjec.

Gjatë aksionit u shënuan dhe incidente. I moshuari Lika mbeti i plagosur me një plumb në kokë dhe u trasferua me urgjencë në spitalin e Traumës. Familjarët akuzuan policinë për plagosjen dhe thanë se i afërmi i tyre, ndodhej në gjumë, ku mori plumbin në kokë. Për të provuar pretendimet e tyre, ata shpërndanë disa pamje filmike, ku dalloheshin njollat e gjakut në krevatin e të moshuarit. Zyrtarisht Policia e Shtetit deklaroi se Haxhi Lika kishte dalë në dritare dhe kishte armë në dorë. Mënyra sesi ai u plagos mbetet e paqartë. Hetimet pritet të hedhin dritë për rrethanat në të cilat u plagos i moshuari dhe nëse në shtëpinë e tij fshiheshin ose jo të shumëkërkuarit Laert Haxhiu dhe Orgest Bilbili.

Cilët janë këto personazhe?

Haxhiu e Bilbili dyshohen si autorët e masakrës së ndodhur tetorin e kaluar në në një bar kafe në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Urës së Përroit”, në Lushnjë. Dy persona të maskuar, hapën zjarr në drejtim të një grupi të rinjsh, duke lënë të vrarë Jurgen Hoxhën dhe Zamir Latifin. I plagosur mbeti edhe Marius Xhepexhiu, ndërsa për fat plumbat nuk prekën Sajmo Xhelili. Nga hetimet rezultoi se shënjestër e atentatit ishte Xhuljo Shkurti, nipi i Aldo Bares, kreu i Bandës famëkeqe të Lushnjes, i cili po vuan dënimin me burgim të përjetshëm. Nga dëshmitë u provua se nipi i Bares, ishte larguar nga lokali ku ndodhi masakra, pak minuta përpara, pasi ishte telefonuar nga berberi I tij për të qethur flokët. Brenda pak orësh në kërkim si autorë të dyshuar të krimit u shpallën Laert Haxhiu e Orges Bilbili.
Precedentët penalë

Dy të shumëkërkuarit kanë patur edhe precedentë të mëparshëm kriminalë, por ja kanë hedhur lehtë drejtësisë, duke u thënë lamtumirë qelive, pas qëndrimit në to vetëm për kohë të shkurtër. Laert Haxhiu, është akuzuar në krye të herës për vrasjen në 2009 të Gerti Lalës, i njohur me nofkën “Iriqi”. Nuk kishte kaluar shumë kohë, që kur kishte rifituar lirinë, kur në 2015, ai u arrestua sëri9sh në Durrës, pasi në makinën e tij u gjet një sasi prej 1.5 kg heroinë, por u dënua me vetëm 1 vit e shtatë muaj burgim, vetëm për akuzën e moskallëzimit të krimit. Në 2016, pak kohë pasi kishte dalë nga burgu u riarrestua, por lirua sërish. Po këtë kohë, tentoi të vriste nipin e Aldo Bares, vepër penale për të cilën u dënua në mungesë.

Orgest Bilbili, gjithashtu rezulton të ketë qenë i përfshirë më herët në veprimtari kriminale. Ai është dënuar për përfshirje në trafik droge. Bëhet fjalë për ngjarjen e majit 2014, ku një avion avion Piper i pilotuar nga Italiani Giorgio Riformato, ngeci në plazhin e Divjakës. Në avion u gjet një sasi e madhe droge që do të trafikohej drejt Italisë. Në këtë rrjet trafiku ishte i përfshirë edhe Bilbili, i cili u dënua nga Krimet e Rënda./ Postuar për Tiranapost.al.

RENEA po kërkonte dy vrasës nëpër shtëpitë e Divjakës, qytetari iu del me armë në dritare