• Shqip
  • English
  • E martë, 28 Janar 2020
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Politikë Të gjitha

    Si ka mundësi që të gjithë e duan dhe janë dakord me të, por nuk veprojnë ashtu


    Bëj si them unë e mos bej si bëj unë, paradoksi i politikanëve që postojnë për Nënë Terezën është fakt. Duan të tregojnë që në fund, thellë thellë ata janë njerëz që e vlerësojnë misionaren e të varfërve, shqiptaren që po një politikan diktator s’e la të takonte as familjen, Enver Hoxha. Të tjerët e ditë të sotme shkrihen në shprehjet e saj, por cilën prej tyre na e kanë dëshmuar me vepra?? Lexojini dhe gjykojeni vetë.

    Mesazhet e politikanëve deri tani në ditën e kremtimit të shenjtërimit të Nënë Terezës:

    -Ilir Meta:

    Kremtimi i Shenjtërimit të Nënë Terezës është një ditë feste për mbarë kombin shqiptar, botën katolike dhe njerëzimin.
    Është dita e përkujtimit dhe respektit ndaj veprës së ndritur dhe të paharruar, humane e hyjnore, të simbolit të nënës shqiptare, shembullit të jashtëzakonshëm të dashurisë dhe misionit të pareshtur të përkujdesjes, ndaj kujtdo që vuan dhe ka aq shumë nevojë për ndihmë, solidaritet dhe përfshirje sociale.
    Me madhështinë e thjeshtësisë së saj, Shën Nënë Tereza është frymëzimi që na nxit çdo ditë për të bërë gjëra të vogla me dashuri të madhe, për të hapur horizonte të reja shprese dhe lumturie, për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë, sociale, e pranë halleve të përditshme të qytetarëve.
    Ashtu siç na porosit e bekuara dhe e Shenjta Nënë Terezë:
    “Dashuria s’mund të mbetet vetëm. Dashuria duhet të vendoset në veprim dhe ky veprim është shërbimi. E djeshmja iku. E nesërmja nuk ka ardhur. Ne kemi vetëm të tashmen. Le të fillojmë!”

    -Lulzim Basha:

    Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.” – Nënë Tereza

    U mbushën 3 vjet nga ceremonia e shenjtërimit të Nënë Terezës, 4 shtatorin e 2016-s. Vatikani caktoi si ditë të së Shenjtes më të re të katolikëve 5 shtatorin, ditën kur ajo më 1997-n, shkoi në amëshim.

    Emocionet e shenjtërimit të Nënë Terezës, i kam të gjalla. Atje, në Selinë e Shenjtë pashë krenarinë shqiptare që shfaqej kudo, në rrugë, me flamuj, me besim dhe me energji, një krenari shqiptare për dhuratën që i kishim bërë njerëzimit. Një bijë shqiptare, një gjak prej gjakut tonë ishte bërë shenjtore, frymëzimi ynë dhe i mbarë qytetërimit për t’ju përkushtuar ndihmës dhe shërbimit ndaj të varfërve, të pamundurve, të sëmurëve.

    Edhe atë ditë, edhe sot, nuk mund të mos kujtoj vlerësimin e Shenjtit Gjon Pali II për Nënë Terezën. Ishte pikërisht ai, që vetëm dy vjet pas largimit në amëshim, shpalli kundër çdo tradite të Selisë së Shenjtë nisjen e procedurave për lumturimin e Misionares së Dashurisë dhe këto procedura gjithashtu u mbyllën në kohë rekord në vitin 2002, vetëm 5 vjet nga 1997-a.

    Kur ishte Papa Gjon Pali II në Shkodër, më 1993-in, ai u tha të gjithë shqiptarëve: “Të dashur, nuk mund mos ta përshëndes një njeri fort të përvuajtur, që ndodhet mes nesh. Është Nënë Tereza e Kalkutës. Të gjithë e dini nga vjen, cili është Atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbyese e përvuajtur e më të varfërve, që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj. Në personin e Nënë Terezës, Shqipëria është nderuar gjithmonë… Ju falenderoj sot në emër të Kishës Katolike, ju falenderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj…”.

    Një milion besimtarë ishin në Sheshin e Shën Pjetrit ditën e shenjtërimit të Bijës Shqiptare, ishin atje për të nderuar thirrjen e Gonxhe Bojaxhiut, përkushtimin e saj të përjetshëm në shërbim të të varfërve dhe për të marrë stafetën që ajo i linte njerëzimit, trashëgiminë për t’ju gjendur më të varfrit dhe më të pamundurit.

    Sot pas 3 vitesh ndihemi njësoj krenarë si atë ditë, veçse më në vështirësi, më në borxh me trashëgiminë e Nënë Terezës. Sot është një ditë reflektimi për ditët dhe kohët e vështira që janë ulur këmbëkryq në mijëra vatra familjare shqiptare. Sepse kur nuk të bëhet më vonë për fatin e një njeriu, nuk të bëhet më vonë për fatin e të gjithëve. Këto vështirësi shoqëria shqiptare nuk i meriton, megjithatë, ne jemi populli i Nënë Terezës, e cila na ka lënë si testament edhe letrat e saj, ku na rrëfen se si duhet të përballojmë dyshimin dhe mungesën e shpresës.

    Këmbëngulja dhe besimi se e mira ja del, triumfon mbi të keqen sado me propagandë e maskë tregtari të shitet ajo, gjendet në çdonjërën nga letrat sekrete të Nënë Terezës, të cilat Vatikani, në vendimin e tij për shenjtërim, i dëshmoi si “botëkuptimi i ri, dritarja e re për botën e saj të brendshme, një dritare që tregoi se sa heroike kishte qenë qëndresa e Nënë Terezës në besim dhe në Misionin e saj të Dashurisë”.

    “Si vjen paqja? Nëpërmjet punës që e bëjmë me dashuri”, rrëfente Nënë Tereza para Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, në vitin 1985, në momentin kur përfaqësuesit e Shqipërisë komuniste e braktisën sallën në shenjë proteste. Dhe puna me dashuri na solli krenarinë për Shenjtëreshën që i dhamë botës. Me dashuri do të përmbushim edhe detyrimin për të dalë nga kohët e vështirësisë ku gjendemi. Me dashuri dhe me frymëzimin që na jep Nënë Tereza. Tek Ajo gjejmë kombin, tek Ajo gjejmë historinë, tek revolucioni i dashurisë që kreu Nënë Tereza në botën tonë gjejmë besimin se ditëve të vështirësisë së pamerituar po u vjen fundi.

    Bekimi i Zotit dhe Shën Nënë Terezës qoftë me ne, për të na e lehtësuar rrugën për t’u shërbyer sa më mirë bashkqytetarëve tanë dhe për një të ardhme më të mirë për kombin tonë!

    -Gramoz Ruçi:

    Më 5 shtator 1997 kombi shqiptar dhe gjithë bota, të varfërit, të sëmurët dhe të pambrojturit anembanë Globit humbën Nënë Terezën. Rreth dy dekada më vonë Papa Françesku do të na e “kthente” të gjithëve, tanimë Shenjtoren Tereza, e cila do të vazhdojë përjetësisht tu japë dritë, buzëqeshje, besim e shpresë miliarda njerëzve, adhuruesve e besimtarëve.
    Shën Tereza ishte heroina e dhimbjes dhe e dashurisë njerëzore, apostullja e të varfërve, e të dobtëve dhe e të pambrojturve.

    Shën Tereza ishte dhe do të jetë përjetësisht inspirim sipëror i humanizmit, solidaritetit dhe përkushtimit ndaj njerëzve në nevojë. Ne, shqiptarët, kemi një arsye më shumë për ta kujtuar e për tu krenuar me këtë grua, nobeliste, Nënë dhe Shenjtore, me margaritarin më të çmuar të kombit tonë. Është detyra dhe nderi ynë që t’i bëjmë pjesë të jetës, pasurisë sonë shpirtërore kombëtare dhe sjelljes e veprimeve tona të përditshme mësimet e saj. Të udhëhiqemi e ndriçohemi nga dashuria e toleranca dhe të mos na errësohen gjykimet nga mëritë dhe urrejtja.”

    -Erion Veliaj: 

    “Me gjak, unë jam Shqiptare. Me shtetësi, jam Indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës.” 🙏🏻🇦🇱🌍 Gëzuar ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës! Bashkohu sot me dhjetëra vullnetarë për të përkujtuar trashëgiminë e saj, duke ndihmuar njerëzit në nevojë. 🍵🌳 

    -Edi Rama:

    ‘Gëzuar Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës 🙏’.

    -Mirela Kumbaro: ‘S’e them dot më mirë se Dom Gjergj Meta 🙏🏻’

    -Elisa Spiropali: ‘Nëna jonë, lutu për ne!

    -Monika Kryemadhi: 

    Pa as më të voglin dyshim, sot për të gjithë kombin tonë shqiptar kudo ndodhet i shtrirë në botën mbarë, kjo ditë duhet të jetë dhe është dita e krenarisë kombëtare, sepse sot në këtë ditë në të gjithë altaret e ndërgjegjes botërore, një bijë e jona na përfaqëson duke na bërë krenarë por dhe duke na dhënë shpresë se e nesërmja e jonë nëse vërtetë angazhohemi do të jetë më e bukur. Na bën krenarë sepse është gjaku ynë, por dhe na jep shpresë duke na thënë se sikurse ajo ia doli në emër të Dashurisë, ashtu edhe neve mund t’ia dalim, pavarësisht vështirësive të mëdha që mund të kemi.

    Nënë Tereza sot na thotë të gjithëve se pa besimin në Zot nuk mund të bëjmë asnjë hap të suksesshëm përpara. Ajo nuk ishte thjeshtë një humaniste e mbështetur në karakterin e saj të fortë, por ishte një besimtare e cila gjithë forcën e saj e merrte prej besimit që kishte në Zot. Më vjen keq kush shoh banderola të vendosura nëpër qytet, të cilat kanë thjesht disa linea bardh e blu me një fushë të bardhë, por mungon fytyra e saj dhe simboli i besimit dhe i forcës së saj. Mbase art i bukur, por asgjë shpirtërore, ndërkohë që ajo për të cilën kemi nevojë sot është shpirti dhe forca e shpirtit që mund të na vijnë vetëm nëpërmjet besimit në Zot.

    Nënë Tereza gjatë gjithë jetës së sajë e mendonte dhe e shikonte veten ‘si’ dhe ‘sa’ një laps në dorën e Zotit. Habit mbase fakti se si ka mundësi që një grua që arriti të njihej në të gjithë botën, ta vlerësonte dhe ta mendonte veten vetëm sa një dhe si një laps, dhe si e tillë të arrinte të ishte kjo që është? Sekreti, të dashur miq të mi shqiptar që e duam Shqipërinë, qëndron pikërisht në besimin në Zot. Nënë Tereza lejoi që të ishte lapsi që i nevojitej Zotit për të shkruar historinë e bukur të sajë dhe të shumë e shumë njerëzve që nëpërmjet saj do të arrinin të shihnin dhe të sodisnin e të gëzonin bukurinë e jetës.

    Duke pasur parasysh atë që Nënë Tereza thoshte në rastin e marrjes së Çmimit Nobel për Paqen, më 17 tetor të vitit 1979, mësimi i madh që na vjen prej kësaj Nëne të madhe është edhe urimi që do të doja t’i bëja secilit bashkëkombas timit: Nëse duam paqe në vendin tonë, të fillojmë e të duam familjen tonë. Nga këtu fillon suksesi i paqes së vërtetë. Kjo ishte edhe kërkesa e saj e vazhdueshme për të gjitha qeveritë, që të angazhohen nëpërmjet krijimit të ligjeve të drejta që tutelojnë të drejtën e familjes. Por si mund ta tutelojnë familjen dikush që nuk e di se çfarë është familja? Si mund ta duaj familjen, dikush që asnjëherë nuk e ka provuar dashurinë e familjes? Nëna Tereza na mëson se vetëm duke iu rikthyer besimit në Zot, në Zotin që është zanafilla dhe dashuruesi i vërtetë i familjes, vetëm atëherë shpirti dhe vendi i ynë do të gjejë paqen e vërtetë dhe zhvillimin e shumë dëshiruar prej të gjithëve.

    Urime me zemër dhe shembulli Nënë Terezës na ndriçoftë për të bërë më të mirën për vendin tonë.’/ Tiranapost.al. E.B

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post