• Shqip
  • English
  • E hënë, 18 Nëntor 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Ekonomi Të gjitha

    Si është situata ekonomike në vend? Sejko: Kemi sfida, por me premisa për përshpejtimin e ritmeve të rritjes


    Guvernatori Gent Sejko, në konferencën vjetore të Bankës së Shqipërisë foli për ecurinë e rritjes ekonomike. Kriza globale e ka prekur pak edhe ekonominë shqiptarë, por guvernatori tha se ekonomia shqiptare ka premise solide për vijimin dhe përshpejtimin e ritmeve të rritjes.

    Nga Konferenca ai tha: Forcimi i stabilitetit financiar, paralelisht me ndjekjen e politikave të kujdesshme monetare, ofron garanci shtesë për qëndrueshmërinë e saj.

    Por Guvernatori shton se sfidat që kemi përpara nuk janë të pakta. Për të nxitur zhvillim të qëndrueshëm të vendit, Sejko tha se filozofia e kësaj pune bazohet në katër shtylla kryesore: Profesionalizëm, përgjegjshmëri, llogaridhënie dhe transparencë.

    Lidhur me katër sfidat, Guvernatori tha:

    Në një perspektivë të gjerë, industria financiare, në rajon e në botë, është në presionin e katër rrymave të fuqishme:

    • Zhvillimit të vrullshëm të teknologjisë së informacionit, i cili i ka hapur rrugë inovacionit financiar dhe ka sfiduar modelet klasike të bankingut. Instrumentet e reja të pagesave e të kreditit, aktorët e rinj të tregut financiar dhe modelet e reja të biznesit, si bankingu dhe pagesat dixhitale apo elektronike, rritin shkallën e penetrimit të shërbimeve financiare. Megjithatë, në të njëjtën kohë, ato sfidojnë jo vetëm aktorët klasikë të sektorit financiar, por dhe rregullatorët e këtij sistemi.

    • Globalizimit, i cili ka zgjeruar fushën e veprimit të aktorëve dhe rregullatorëve të tregut. Ky fenomen i ekspozon ndjeshëm vendet në zhvillim ndaj luhatjeve të kuadrit rregullator apo luhatjeve të oreksit për rrezik në vendet e zhvilluara.

    • Procesit të rirregullimit që po kalon sektori financiar evropian e botëror. Ky proces synon të rrisë sigurinë e sektorit bankar, të ulë probabilitetin e krizave sistemike dhe të rrisë aftësitë e autoriteteve për administrimin e tyre. Megjithatë, ai imponon kosto shtesë për sektorin bankar dhe e vendos atë në pozita më pak të favorshme kundrejt pjesëmarrësve të tjerë të tregut.

    • Normave tejet të ulëta të interesit, që karakterizojnë segmente të tëra të tregut financiar botëror. Këto norma pasqyrojnë politikat monetare stimuluese të ndjekura nga bankat e mëdha qendrore, rënien e produktivitetit global dhe zhvillimet e pafavorshme demografike në vendet e zhvilluara. Megjithatë, ato dëmtojnë bilancet e segmenteve të gjera të tregut financiar, si sektori bankar, fondet e pensionit dhe kompanitë e sigurimit.

    Në një këndvështrim më të afërt, Shqipëria ka nevojë për rritjen e gjithanshme të shkallës së kulturës financiare. Ndër të tjera, kjo ndihmon shëndoshjen e financave personale dhe të biznesit, si dhe reduktimin e rreziqeve financiare, si për shembull ekspozimin e panevojshëm ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit. Banka e Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet në pararojë të edukimit financiar.

    Po ashtu, Shqipëria ka nevojë për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të pagesave dhe për përmirësimin e aksesit në financë të segmenteve të ndryshme të shoqërisë, si bizneset e vogla dhe të mesme apo sektori rural. Banka e Shqipërisë ka ushtruar me përgjegjësi detyrat e veta në fushën e zhvillimit të sistemit të pagesave. Në këtë drejtim:

    • kemi ngritur në vitin 2015 Komitetin Kombëtar të Sistemit të Pagesave, i cili synon koordinimin e punës së të gjitha agjencive publike dhe sektorit privat;

    • kemi hartuar projektligjin “Për shërbimet e pagesave”, i cili adopton direktivën përkatëse të Bashkimit Evropian dhe i hap rrugën zhvillimit të produkteve të reja të pagesave; si dhe,

    • kemi përmirësuar infrastrukturën teknologjike të kryerjes së pagesave, duke ulur kostot e tyre.

    Megjithatë, puna jonë nuk mund të quhet e përfunduar. Së fundi, Shqipëria duhet t’i kushtojë vëmendje zhvillimit të segmenteve të tjera të tregut financiar, si tregu i kapitalit apo fondet e pensionit dhe të investimit. Rëndësi primare në këtë kontekst ka harmonizimi i kujdesshëm i kuadrit ligjor e rregullator, për të shmangur lindjen e vatrave të rrezikut sistemik apo mundësitë e arbitrazhit rregullator./ Tiranapost.al. 

     

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post