Aktualitet

Si e sfidoi Thaçi BE-në me kërkesën që i bëri presidentit Meta

Presidenti i Kosovës sfidoi BE-në duke lënë të nënkuptohet se qytetarët e Kosovës duhet të marrin nënshtetësinë shqiptare, që të kenë mundësi të udhëtojnë pa viza drejt vendeve të BE-së. Kështu fillon një artikull i publikuar sot në Euractiv, që sjell në vëmendje kërkesën e presidentit të Kosovës Thaçi dje gjatë një takimi në Tiranë me presidentin Meta.

Ai i kërkoi Metës që ti japë mundësi qytetarëve të Kosovës të aplikojnë për nënshtetësi shqiptare, që ata të udhëtojnë në Evropë pa viza. "Strategjia bllokuese dhe izoluese e BE-së na shtyu të kërkojmë që presidenti Meta t'u lejojë kosovarëve të aplikojnë për shtetësi të dyfishtë për të fituar të drejtën e udhëtimit të lirë pa viza," tha Thaçi pas takimit me homologun e tij Meta, duke shtuar se BE e kishte lënë Kosovën të izoluar e të bllokuar.

Kosova është vendi i fundit ballkanik, qytetarët e të cilit kërkojnë viza për të udhëtuar në zonat Shengen. Por BE i vuri kusht Kosovës për të zgjidhur njëherë mosmarrëveshjen afatgjatë të kufirit me Malin e Zi, kjo mosmarrëveshje daton që në vitet 90, ku Ish-Jugosllavia u rrëzua pas një sërë luftërash.

Një marrëveshje e tillë është vendimtare nëse Kosova, kombi me 1.8 milionë banorë do fitojë të drejtën e heqjes së vizave, e më pas për tu integruar në BE. Në vitin 2015, Kosova arriti një marrëveshje demarkacioni kufitar me Malin e Zi, por marrëveshja u bllokua nga politikanët e opozitës në parlament në Prishtinë, që do të thotë se prej atij momenti, nuk është ratifikuar.

Megjithatë, asnjë zyrtar shqiptar nuk e ka mbështetur publikisht një projekt të tillë. Meta konfirmoi dje se kanë ardhur një numër kërkesash për shtetësi nga shtetasit kosovarë dhe theksoi nevojën për t'i dhënë fund izolimit, apo diskriminimit ku qytetarët e Kosovës janë të ekspozuar.

"Sigurisht, zgjidhja nuk është duke dhënë nënshtetësinë shqiptare për të gjithë qytetarët e Kosovës ... zgjidhja duhet të jetë zhbllokimi i perspektivës evropiane ndaj Kosovës," tha Meta. Thaçi publikoi kohët e fundit një artikull të fortë , duke shprehur zemërimin e tij ndaj qëndrimit të Komisionit Europian ndaj vendeve me shumicë myslimane, duke akuzuar ekzekutivin e BE-së se shpreh mendime kontroverse. Euractiv. com Tiranapost.al E.B

WA