Aktualitet

Si dolën në modë rrobat e banjës që vjet do tmerronin vajzat

Kush do ta mendonte se edhe vajzat e reja që ndjekin modën këmba këmbës do të vishnin monokini. Ky është emri që i kemi vënë sot se dikur në fakt i quanim trupore. Stili i këtyre rrobave të banjës preferohej asokohe nga nënat tona, të cilat dëshironin të mbulonin shenjat, që lë lindja e fëmijëve, në bark. Strijat gjetën shpëtim me këtë stil. Ato nuk mund të zhdukeshin, por ama të fshiheshin në plazh, po.

Tashmë nuk vishen vetëm nga gratë, por edhe nga vajzat. Ka dalë moda dhe po i zgjedhin të gjitha. Kanë tentuar në ngjyra të ndryshme, ose thjesht të bardha e të zeza.

Për këtë stil të rrobave të banjës dhe triumfin e papritur kemi pyetur Stela Sallakun që na ka thënë:

"Less is more" është rregulli i artë i cili ka caktuar të veshurën më mirë në bregdetet. Edhe pse i preferuari i konsumatorit ka qënë bikini, editorët e modës dhe influencerët kanë përzgjedhur monokini. Ai përfaqëson shumë mirë dy botët, të shkuarën retro dhe novatoren e ditëve të sotme. Mos harroni Pamela Anderson me monokini në serialin  "Baywatch", dhe Kim Kardashian pas lindjes pozoi me kostumin trup, duke shpalosur sharm dhe elegancë. Ajo mund të zgjidhte çdolloj forme të bikinit dhe pa dyshim që do dukej super, por vendosi të fshihte disa pjesë të trupit duke ngjallur kureshtjen e mediave si asnjëherë më parë.

Jo vetëm kaq, fokusi i inspirimit sivjet ka qenë surf-i, monokini me mëngë të gjata dhe zinxhir. Rripa të cilët valëzohen dhe detaje kukafshehti të qëndisura. Edhe pse bikini mund të duket komod, monokini do bëjë kokat të kthehen, si Victoria Beckham kur pozoi për një nga revistat më prestigjoze botërore. Së fundmi evolimi i copës së kostumit të plazhit ka bërë që të vihet shenjë barazimi mes dy llojeve më të përfolura të veshjeve të plazhit. Kështu që zgjedhja është e juaja, nëse doni të jeni njësh me turmën apo të lini gjurmë kudo të shkoni.”

Nuk kanë të mbaruar modelet e tyre. Hidhini një sy galerisë dhe merrni ndonjë ide nëse ende nuk i keni blerë.