Aktualitet

Shtyrja e vendimit, Basha: Edi Rama në krah të Tahirit, po shkatërrohen provat

Menjëherë pas vendimit të Këshillit të Mandateve për të shtyrë mbledhjen për ditën e nesërme në orën 10:00, ka reaguar Lulzim Basha i cili tha se Saimir Tahiri tashmë ka mbrojtjen e Edi Ramës dhe se po fitojnë kohë për të shkatërruar provat e për të prerë lidhjet fijet që i implikojnë në çështjet kriminale të trafikut të drogës.

“Imuniteti nuk jepet për të bërë trafik droge, por për lirinë e mendimit. Edi Rama tregoi sot se është në krah të Saimir Tahirit, forca që i lidh është më e fortë se fjalët për zbatimin e drejtësisë. Provat administrohen në gjykatë, faktet e bëra publike para shqiptarëve tregojnë qartë se Kuvendi nuk ka rrugë tjetër përveçse t’i heqë imunitetin sa më shpejt. Sot Saimir Tahirit iu blenë 24 orë, gjatë së cilave do të shkatërrohen provat dhe do të priten fijet e lidhjeve me krimin. Do të çohen komisarë për të blerë të vërtetën. Edi Rama faktoi për këdo se narkoshteti s’mund të jetë kurrë shtet i së drejtës. Kupola mafioze nuk bën dot drejtësi”, u shpreh Lulzim Basha./Tiranapost.al