Aktualitet

Shtyhet afati i aplikimi për gjyqtar shqiptar në Gjykatën e Strasburgut

Më herët u shpall një njoftim për aplikim për gjyqtar të Shqipërisë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Sot Kryeministria ka publikuar një njoftim të ri, ku bën me dije se data për aplikim në ëktë post është shtyrë deri më 16 prill 2018.

"Në funksion të pranimit të një numri sa më të lartë aplikimesh për pozicionin e gjyqtarit shqiptar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, afati i aplikimit shtyhet deri në datën 16 prill 2018.

Inkurajojmë të gjithë juristët që përmbushin kriteret e mëposhtme, të aplikojnë!

Këshilli i Evropës i ka kërkuar qeverisë shqiptare të paraqesë listën me propozime për tri kandidaturat më të përshtatshme për pozicionin e gjyqtarit të ri të Shqipërisë në GJEDNJ, i cili votohet nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.

Ky njoftim për aplikim bazohet në udhërrëfyesin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës CM ( 2012) 40-add, datë 29.3.2012. Mandati i gjyqtarit është për një afat prej 9 (nëntë) vjetësh dhe mbaron pas përfundimit të këtij afati ose kur ai/ajo arrin moshën 70 vjeç. Kandidatët, nëse zgjidhen, duhet të jenë në gjendje të mbajnë këtë detyrë për të paktën sa gjysmën e mandatit 9-vjeçar, para se të arrijnë moshën 70 vjeç", thuhet në njoftim.

Aplikanti duhet të plotësojë kriteret dhe dokumentet përkatëse. Klikoni KËTU për të marrë informacione më të detajuara./ Copyright Tiranapost.al