• Shqip
  • English
  • E hënë, 24 Qershor 2019
  • Shqip
  • English
  • Lexo Enver Robellin në TIP Opinion Të gjitha

    Shteti i privatizuar dhe parazitar


    Kosovë, 24 maj 2019: një ditë kur duhet të evakuohen edhe institucionet e drejtësisë për shkak se shteti paralel i nëntokës parapolitike dëshiron të shemb çdo gjë me shpresën se kaosi është shansi i vetëm i zaptuesve për mbijetesë.

    Nga Enver Robelli

    Çfarë shteti është sot Kosova? Një shtet që kërkon liberalizimin e vizave dhe njëkohësisht, sot, më 24 maj 2019, duhet t’i evakuojë institucionet më vitale të drejtësisë për shkak të dyshimit se gjithçka do të hidhet në erë. Mund të jetë alarm i rremë. Mund të jetë diçka më serioze. Por kjo, në fund të fundit, s’luan shumë rol. Qëllimi është: shkaktimi i kaosit.

    Kosova është një shtet që argatët e krimit të organizuar i mban në pozita udhëheqëse në polici. Një shtet që të dyshuarit për vepra të jashtëligjshme i avancon në funksione udhëheqëse në shërbimin sekret. Një shtet i kapur sidomos nga një parti, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila ka qëndrim mohues, pengues e armiqësor ndaj shtetit ligjor. Një shtet si «Ferma e Kafshëve» e George Orwellit: të gjithë janë të barabartë (me letra) dhe disa janë më të barabartë, domethënë mbi ligjin, andaj mund të shkelin ligjin, të vjedhin, keqpërdorin, manipulojnë, kërcënojnë dhe, po e lypi puna, edhe të vrasin e djegin çdo gjë.

    Kosova sot lë përshtypjen e një vendi para kolapsit. Një vend ku njerëzit kanë humbur shpresën, sepse krerët politikë ua kanë mbytur çdo shpresë, duke shkatërruar çdo gjë – arsimin, shëndetësinë, ekonominë, administratën. Një grusht njerëzish që ëndrrën e vetme e kanë pushtetin si mundësi për pasurim ilegal, po e mbajnë peng një shtet dhe një shoqëri. Nuk është se shoqëria nuk ka faj. Qëmoti i është nënshtruar rrenave, joshjeve dhe kërcënimeve të atyre që nën maskën e çlirimtarëve e kanë varrosur çdo vlerë në këtë shoqëri, ku njeriu normal duhet të arsyetohet përse është normal dhe jo si ata në pushtet dhe jo si ata afër pushtetit që duan të shfrytëzojnë rastin për t’i mbushur xhepat, pastaj deti kos u bëftë.

    Brenda shtetit PDK dhe satelitët e saj kanë krijuar zona të jashtëligjshme. Në këto zona bëjnë vaki edhe gjërat më të paparamendueshme. Dëshiron të ndërtosh një spital në oborr të spitalit publik? Po, nuk ka problem. Vetëm duhet të paguash, të kesh lidhje me njerëz të caktuar të nëntokës politike. Financimi? E rregullojnë fajdexhinjtë.

    Kur në javën e dytë të qershorit 1999 u çlirua Kosovën, kush e mendonte se kjo shoqëri do të ulte kokën dhe lejonte të vijë puna deri këtu? U duruan vrasjet politike. U durua vjedhja industriale e votës. U duruan mijëra keqpërdorime. U duruan skandale të shumta në privatizimin e ndërmarrjeve publike. U harruan krime dhe u fshehën gjurmë të krimit. Tani shteti paralel i nëntokës parapolitike, duke pasur nën kontroll prokurorë, gjykatës, policë, hetues dëshiron të hedh në ajër krejt republikën. Në librin e tij «Post-Communist Mafia State» sociologu dhe ish-ministri hungarez i arsimit, Bálint Magyar, argumenton se shteti mafioz jo përherë është i kapur nga nëntoka. Shteti mund të kapet edhe nga «mbitoka»: një elitë kriminale grabit pushtetin dhe pastaj i fut ndër thonj të gjitha institucionet.

    Në rastin e Kosovës nëntoka politike u bë «mbitokë» dhe pjesë e «mbitokës» edhe shumë media, të cilat sistemi kriminal i ushqen dhe ndërsen sipas nevojës. Në këtë sistem lojaliteti ndaj grupit mafioz është tejet i rëndësishëm. Pa lojalitet sistemi shembet. Andaj është me rëndësi që në çdo segment institucional pushteti të ketë njerëzit e vet mizorë. Dëshironi të manipuloni dëshmitë? E keni dikë në hetuesi. Dëshironi të manipuloni tenderë? I keni njerëzit në Agjencinë e Privatizimit. Dëshironi t’i shmangeni një procesi gjyqësor? Përdorni metodën e shantazhit ndaj gjykatësve apo prokurorëve. Shteti mafioz, shkruan Bálint Magyar, është «një formë e privatizuar e shtetit parazitar». Nuk ka shpjegim më trishtues për Kosovën se ky./ Marrë nga dialogplus.ch/ Tiranapost.al